Skepticizmi për një takim të frytshëm mes Qeverisë dhe opozitës

Ekspertët e pavarur nuk shpresojnë shumë se takimi i kryeministrit Isa Mustafa me liderët opozitarë do të sjellë zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, analistët politikë shpresojnë se në këtë takim mund të merren vesh për dërgimin e marrëveshjes në Arbitrazh.

Qeveria dhe opozita pritet të mblidhen në ditët në vijim për të diskutuar edhe një herë rreth Marrëveshjes së Demarkacionit.

Mirëpo, edhe këto bisedime janë “të projektuara” për të dështuar, sepse, sipas ekspertëve nuk ka fakte të reja për t’u prezantuar në këtë mbledhje, shkruan Zëri.

Siç vlerësojnë ata, faktet që paraqesin të vërtetën tanimë janë prezantuar nga ana e tyre e jo nga Qeveria. Ata thonë se thirrja e kësaj mbledhjeje ka të bëjë me çështje politike, por assesi me çështje profesionale.

Pavarësisht kësaj, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se për çështje që kanë të bëjnë me demarkacionin do të bisedohet vetëm me fakte. Sipas tyre, duhet shikuar gjithmonë interesi nacional dhe ai i qytetarëve.

Ndryshe prej ekspertëve të pavarur, njohësit e çështjeve politike në Kosovë mendojnë se ekziston mundësia që nga takimi i ardhshëm mes pozitës e opozitës të arrihet një kompromis, qoftë edhe duke e dërguar marrëveshjen në Komisionin e Arbitrazhit.