“Skenderbej” dhe “Adem Jashari” – Sheshet shqiptare ku falet namazi

“Skenderbej” dhe “Adem Jashari” – Sheshet shqiptare ku falet namazi

Sheshi “Skenderbej” në Tiranë ka qenë një vend tradicionalisht i përdorur për të falur dy Bajramat nga komunitetit mysliman por një shesh tjetër i një qyteti në Kosovë iu bashkëngjit kësaj tradite, raporton Insajderi.

Bëhet fjalë për sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj aty ku falja e Kurban Bajramit të sotëm shënoi edhe herën e parë që komuniteti mysliman në këtë qytet kryen obligimin fetar në një hapësirë publike, sikurse sheshi.

Lajmin se Skenderaj ka nisur faljen e namazit e ka bërë edhe djali i kryetarit të Skenderajt, Mërgim Lushtaku, njëherish edhe deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

“Për herë të parë e falëm namazin e Bajramit të Kurbanit në qiell të hapur në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, duke përjetuar një emocion të veçantë dhe të përzier njëkohësisht”, ka  shkruar Lushtaku.

Ndërsa në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë u mblodhën që në orët e para të së premtes në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin e festës së Kurban Bajramit.

Përpara besimtarëve, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, bëri thirrje për më shumë dashuri dhe solidaritet mes njëri-tjetrit.

“Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi dhe as gjaku i kurbanit, por përkushtimi që kemi për të. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin dhe duke ndarë mishin e Kurbanit me njerëzit në nevojë, jemi më afër pëlqimit të Zotit”.

Ndërsa për Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, kjo festë ka një rëndësi shumë të madhe në këto kohë: “Një nga ditët e madhërimit të Zotit, por jo të atij falsifikimit që përcillet në media, siç janë vrasjet dhe masakrimet duke thirrur “Allahu ekber”. E kundërta, Zoti është më i madhi në pushtetin absolut dhe në demonstrimin e drejtësisë së tij me njeriun në sipërfaqen e Tokës”.

Në këtë ditë, besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë. E për t’ju përmbajtur kësaj fryme solidariteti, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur që drekën e Kurban Bajramit ta shtrojë për të moshuarit që jetojnë në azilin e pleqve në Tiranë./Insajderi.com