Skenari serb që vrau 150 shqiptarë

Skenari serb që vrau 150 shqiptarë

Të shtrirë nën dritën e hënës, nuk ishte se të burgosurit në Dubravë në Majin e vitit 1999 nuk e dinin se diçka po përgatitej për ta. Diçka e errët si ato kohë për Kosovën, diçka nga e cila nuk do shpëtonin mbi 150 të burgosur.

300 të tjerë do mbijetonin disi, ani pse me plagë në trup.

Mëngjeset nuk ishin pa frikë por të burgosurit i kishin premtuar njëri-tjetrit se do rrinin të bashkuar, çkado që do ndodhte.

Të burgosurit e kthyer në Dubravë jo rrallëherë pyesnin veten apo njëri-tjetrin se përse i kishin sjellë këtu.

Skenari tashmë ishte i njohur për ta, jo pse ishte i dëgjuar më parë por se njihnin veprimet e pushtetit serb.

Në maj të vitit 1999, ndodhi një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës.

Ky burg i sigurisë së lartë, gjatë luftës së fundit në Kosovë u përdor  edhe nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë.

Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohet ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë.

Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Në këtë burg do të ndodhin krimet më makabre që mund të përshkruhen më së miri me fjalët e Mustafë Kolgecit, një prej të mbijetuarve të kësaj masakre.

“Nuk ka shkrimtar, nuk ka poet, nuk ka regjisor që mund të ilustrojë ato tmerre. Kishte çaste kur vdekja, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë”, thotë ai.

Ngjarja e kobshme pasqyron mbi të gjitha vuajtjen dhe forcën e shqiptarëve për të nxjerrë nën breshërinë e plumbave të plagosurit e mbetur në terren ku forcat serbe vranë me çka mundën mbi 150 shqiptarët.

Netët e Majit ishin ato kur u takua mishi me zjarrin, barotin dhe hekurin.

Për disa minuta, net me radhë, mbi trupat e të burgosurve ranë plumba armësh automatike, bomba dhe granata dore.

Ky skenar i pushtuesit serb zgjati deri më 22 maj, kur NATO e kuptoi se aty nuk ishin forcat serbe, por të burgosurit shqiptarë.

19 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999 dhe është ndër më të mëdhatë.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush ani pse gjatë gjykimit të Millosheviqit është përmendur në Hagë.

Fotoja ilustruese.