Skandali i mishit – Dy grupe parlamentare kërkojnë debat në Kuvend

Mishi i dyshimtë i importuar nga Belgjika në Kosovë dhe mishi i prishur, i gjetur në dy markete në Mitrovicë. Dy grupe parlamentare kanë nisur një iniciativë për të debatuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me skandalin e mishit.

Skandali i mishit – Dy grupe parlamentare kërkojnë debat në Kuvend

Dy skandale të mishit që shpërthyen në Kosovë në dy javët e fundit, kanë nxitur dy grupe parlamentare që të thërrasin debat në Kuvendin e Kosovës për kualitetin e mishit që kanë konsumuar qytetarët.

“Kosova është bërë poligon i futjes së mallrave më cilësi dhe siguri ushqimore të ulët”, ka thënë të enjtën Salih Salihu, deputet nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, teksa ka bërë të ditur se ka kërkuar debat parlamentar për cilësinë e mishit.

Por jo vetëm Salihu nga Grupi i Deputetëve të Pavarur kërkoi debat për cilësinë e mishit që shitet në Kosovë. Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu e ka paraqitur një kërkesë të tillë një javë më parë.

Kërkesat e dy grupeve parlamentare erdhën si shkas i dy skandaleve të mishit që prekën Kosovën gjatë muajit mars: ai i mishit të importuar nga Belgjika, i cili ishte shitur papenguar në Kosovë për dy vite dhe skandali i mishit të asgjësuar në marketet “ETC” dhe “Viva Fresh” në Mitrovicë.

Për të ndodhur një debat parlamentar për çështjen e cilësisë së mishit, duhet që kërkesa e dy grupeve parlamentare të pranohet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Mishi i dyshimtë i kompanisë belge është shitur në Kosovë

Skandali i parë i mishit u bë publik nga Agjencia Federale për Sigurimin e Ushqimit në Belgjikë (FASFC), e cila përmes një raporti të publikuar më 9 mars, konstatoi se kompania “Veviba” kishte shitur dhe eksportuar mish me afat të skaduar. Disa ton me mish kjo kompani kishte eksportuar edhe në Kosovë.

Madje, FASFC kishte zhvilluar hetime për dy vjet ndaj kompanisë “Veviba” derisa kishte konstatuar se kjo kompani kishte zhvilluar veprimtari në kushte të papranueshme sanitare dhe kishte shitur mish me afat të skaduar.

E për nisjen e hetimeve ndaj kësaj kompanie ishte bërë shkak Kosova. Në shtatorin e vitit 2016, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) kishte asgjësuar 20 ton mish gjedhi që firma “Veviba” po eksportonte në Kosovë.

 

AUV nuk tregoi nëse në Kosovë ishte importuar mish nga e njëjta kompani belge para shtatorit të vitit 2016.

Mirëpo, një hulumtim i publikuar nga Insajderi më 14 mars zbuloi se në Kosovë ishte importuar mish nga firma “Veviba” edhe para se të asgjësoheshin 20 ton mish të kompanisë belge.

Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika

Insajderi siguroi një dokument nga Dogana e Kosovës, i cili dëshmonte se firma “Veviba” kishte eksportuar mish në Kosovë dhe që zbuloi se kompania për importin e mishit “Euro IDA” nga Rahoveci, kishte pranuar mish nga “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Bëhej fjalë për mbi 60 ton mish gjedhi që “Euro IDA” kishte importuar nga firma “Veviba” në tri importe të realizuara ndaras me njëra-tjetrën. Hulumtimi i Insajderit dëshmon se mishi i dyshimtë i kompanisë “Veviba” ishte shitur papenguar në Kosovë.

Siç kishte raportuar javën e kaluar e përditshmja belge Le Soir, mishi i kompanisë “Veviba” kishte pasur raste kur ishte shitur me afat të skaduar prej 12 vitesh.

Kompania e dytë kosovare që importoi mish të dyshimtë nga Belgjika

Kompania “Beni SHPK” nga Suhareka është thertorja tjetër kosovare që ka importuar mish të dyshimtë nga Belgjika, ka konfirmuar sot Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala.

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala i ka thënë dje Insajderit se ndaj kësaj kompanie kanë filluar hetimet për cilësinë e dyshimtë të mishit.

Ai zbuloi se “BENI SHPK” është kompania e dytë kosovare që kishte importuar mish nga Belgjika.

“Po, ashtu siç keni shkruar ju [Insajderi, v.j] për kompaninë ‘Euro Ida’ është e saktë. Ndërkaq, kompania tjetër [që ka importuar mish nga Belgjika, v.j] është Beni SHPK nga Suhareka”, ka thënë Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala, për Insajderin.

Madje, kjo kompani kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba” në shtator të vitit 2016.

Rreth 20 ton mish që firma “BENI SHPK” kishte importuar rreth dy vite më parë nga “Veviba” ishin asgjësuar nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, për shkak se një sasi e madhe e mishit të gjedhit ishte konstatuar të ketë qenë me afat të skaduar.

Mishi i prishur i “ETC” dhe “Viva Fresh” 

Për të konfirmuar se konsumtatorët kosovarë janë të rrezikuar nga cilësia e mishit, dëshmuan edhe dy aksione të zhvilluara në muajin shkurt të këtij viti nga Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës, e që u bënë publike në media të enjtën.

Në këto dy aksione, të zhvilluara më 13 dhe 14 shkurt, Inspekcioni i Komunës së Mitrovicës gjeti një sasi prej 1 mijë e 123 kilogram mish të prishur dhe me afat të skaduar në kompanitë “Viva Fresh” dhe “ETC”.

Në frigoriferët e lokalit “Viva Fresh” ishin asgjësuar 573.4 kilogram mbetje të mishit dhe mish i ngrirë, ndërkaq në “ETC” ishin asgjësuar 550 kilogram mish i prishur. Në dokumentet që siguroi Gazeta Metro, sqarohet se edhe dy kompanitë kanë pranuar fajin dhe kanë kryer proceduar e asgjësimit.

Por, kompania “Viva Fresh” është munduar të arsyetohet dje për mishin e prishur që i ishte gjetur në figoriferët e saj në Mitrovicë. Ka thënë një gënjeshtër për mishin që është mbajtur në frigoriferë.

Dallimet mes asaj që shkruhet në raportin e Inspektoratit Komunal të Mitrovicës dhe reagimit apo sqarimit të “Viva Fresh” qesin në pah faktin se ky market e mbante mishin në frigoriferët e depos së tyre për ta shitur.

Në raportin e Inspektoratit Komunal gjatë kontrollit që i ka bërë “Viva Fresh” me 13 shkurt të këtij viti, thuhet se në pikën e saj në Shupkovc të Mitrovicës është gjetur se “Viva Fresh” kishte në frigon e saj mbetje të mishit dhe mish të ngrirë që nuk kishte asnjë deklarim.

“Me datë 13.02.2018 kemi kryer kontrollin inspektues në “Viva Fresh” SHPK i cili veprimtarinë e zhvillon në Shupkovc-Mitrovicë, ku u konstatua se në frigon e këtij subjekti afarist ndodhet një sasi prej 573.40kg e mbetjeve të mishit dhe mishit i cili është i ngrirë dhe nuk ka kurrfarë deklaracioni dhe nuk dihet destinimi i tij”, sqarohet në procesverbalin e Komunës së Mitrovicës, që ka publikuar Gazeta Metro të enjtën.

Por në reagimin e “Viva Fresh” thuhet se ata po e mbanin mishin në frigo për ta gjuajtur më vonë.

“Mbetjet e mishit të gjetura në dyqanin tonë kanë qenë të grumbulluara në një vend të veçantë në depo. Pra, nuk kanë qenë në shitje dhe këtë gjë e dëshmon procesverbali i Inspektorit. Mbetjet e grumbulluara për asgjësim kanë qenë të sinjalizuara që nuk janë për shitje”, ka thënë “Viva Fresh”.

Njeriu që udhëhoqi këtë aksion të sekuestrimit të mishit në dy bizneset kosovare, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës Hysni Ahmeti, ka thënë se dyshimet për cilësinë e mishit I kishte vërejtur nga “ngjyra e çuditshme” që mbante mishi.

“Mishi ka pasur një ngjyrë të çuditshme”, ka thënë Ahmeti të enjtën, teksa ka treguar se mishi është groposur në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Kërcënimi ndaj gazetarëve të Insajderit dhe arratisja e pronarit të “Euro IDA”

Pesë ditë pasi Insajderi zbuloi se kompania “Euro IDA” kishte importuar mish të dyshimtë nga kompania belge “Veviba”, pronari i firmës nga Rahoveci telefonoi në redaksinë e gazetës dhe kërcënoi me vrasje gazetarët e Insajderit.

Jupa u shpreh të hënën se do t’i coptojë e do t’i “sharrisë me kallashnikov” gazetarët e Insajderit.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ka thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës.

 

Ndërkaq, kaluan edhe pesë ditë pas këtij kërcënimi që i bëri gazetarëve dhe Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bastisën depotë e firmës “Euro IDA”.

Në këtë aksion, Prokuroria kishte planifikuar ta arrestonte pronarin e kompanisë “Euro IDA”, Anton Jupën, por ai ishte arratisur. Nuk ndodhej në Kosovë.

Edhe pse nuk e gjetën Jupën, në kompaninë “Euro Ida” Prokuroria Themelore e Prizrenit gjeti 1 mijë e 800 kilogram mish me afat të skaduar.

Cak i aksionit të Prokurorisë ishte edhe një kompani nga rajoni i Prizrenit. Kompania për importin e mishit “BENI SHPK” nga Suhareka ishte kompania tjetër, ambientet e së cilës janë bastisur të enjtën.

Në këtë aksion të zhvilluar në dy kompani, Prokuroria gjeti minj të ngordhur në ambientet e njërës prej kompanive. /Insajderi.com