Skandali i KEDS-it – Këta janë politikanët që mund të përfitojnë nga mospuna e prokurorëve

Nëse brenda dy javëve nuk nxirret aktvendimi për fillimin e hetimeve për faljen e katër hidrocentraleve, atëherë ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Bedri Hamza, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq do të mbesin pa u hetuar.

Skandali i KEDS-it – Këta janë politikanët që mund të përfitojnë nga mospuna e prokurorëve

Vetëm edhe dy javë koha i mbesin prokurorisë Speciale të Kosovës, që të nxirret aktvendim për fillimin e hetimeve për rastin e faljes së katër hidrocentraleve. Në të kundërtën ndjekja penale do të parashkruhet.

Nëse lënda parashkruhet atëherë pesë ish -ministra që kishin qenë pjesë e komisionit për privatizimin e KEDS-it,  do të mbesin të pa hetuar fare.

Në Komisionin Qeveritar për Privatizimin të KEDS-it kishin qenë Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Bedri Hamza, Ministër i financave, Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Privatizimi i katër hidrocentraleve ishte bërë në mënyrë fshehtë. Ato ishin përfshirë në një pako me Distribucionin dhe Furnizimin, krejt së bashku janë dhënë për vetëm 26.3 milionë euro tek konzorciumi i kompanive turke, “Çalik & Limak”.

Por për përfshirjen e tyre në kontratën e privatizimit nuk kishin pasur informata asnjë nga ministrat që kishin votuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit.

Ministri Beqaj në vitin 2012 pati deklaruar se Kosova nuk po privatizon hidrocentrale.

“Shumë shpesh po bëhen krahasime edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë… Në strukturën e transaksionit në Maqedoni, përveç që është shitur një pjesë e borxheve të vjetra, është shitur edhe aseti i një hidrocentrali prej 40 megavatesh. Pra, nuk është shitur vetëm Distribucioni, por është shitur edhe gjenerimi në këtë koncept. E kjo nuk ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Beqaj, bazuar në transkriptin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, që është mbajtur në tetor të vitit 2012.

Më vonë Beqaj, në një deklaratë për Kohën Ditore kishte thënë se vazhdon t’i qëndrojë këtij deklarimi, pasi sipas tij në dokumentet e privatizimit në asnjë vend nuk është thënë se do të shiten edhe hidrocentralet.

Prokuroria Speciale, ka dy vjet që është në fazën e mbledhjes së informatave për “faljen” e katër hidrocentraleve. /Insajderi.com

Pas dy jave mund të parashkruhet ndjekja penale për “faljen e hidrocentraleve”