Skandali i FIFA-s: Fillon procesi gjyqësor për tre ish-zyrtarë të lartë

08.11.2017 20:30
Skandali i FIFA-s: Fillon procesi gjyqësor për tre ish-zyrtarë të lartë

Disa ish-zyrtarë të futbollit në Amerikën e Jugut janë akuzuar për mashtrime me të drejtat televizive.

Tre ish-zyrtarë të futbollit nga Amerika e Jugut u paraqitën para gjykatës në New York pas akuzave lidhur me skandalin e korrupsionit në FIFA, raporton ‘The Guardian’, përcjell Insajderi.

Akuzat ndaj tre figurave të larta të futbollit në Amerikën e Jugut përfshijnë mashtrimin dhe dhënien e ryshfetit në lidhje me të drejtat televizive të turneve Copa Libertadores dhe Copa America.

Që të tre të dyshuarit – ish-presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) Jose Maria Marin, ish-presidenti paraguaian i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol) Juan Angel Napout dhe ish-presidenti i Federatës peruane të futbollit, Manuel Burga – kanë mohuar këto akuza.

Marin ishte një ndër shtatë zyrtarët e lartë të FIFA-s të arrestuar në një hotel luksoz në Zurich në maj të vitit 2015, në fillim të hetimeve lidhur me korrupsionin në FIFA.

Në dhjetor të 2015-tës, Napout u arrestua në një tjetër bastistje në një hotel në Zurich, derisa zyrtari tjetër, Burga u arrestua në po të njëjtin muaj në shtëpinë e tij në Peru. /Insajderi