Skandalet ndaj kosovarëve ndikuan në rënien e turizmit në Shqipëri

Skandalet ndaj kosovarëve ndikuan në rënien e turizmit në Shqipëri

Durrësi është identifikuar historikisht për një dyndje të turistëve nga Kosova. Madje shumë prej tyre nuk nguruan që të blinin apartamente apo biznese që është lehtë t’i identifikosh nga emrat që mbajnë.

Ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë i dha një shtysë të jashtëzakonshëm rritjes së frekuentimit të bregdetit shqiptar.

Por duket se viti 2017 ka qenë një pikë kthese, me një rënie në numër.

Këtë vit shtetasit nga Kosova duket se po refuzojnë në heshtje abuzimet e përvitshme me çmimet, problemet me infrastrukturën, deri te diskriminimi me moslejimin e kalimit të autobusëve në rrugën e plazhit në Durrës gjatë kësaj vere.

Të dhënat e INSTAT për 7-mujorin tregojnë se për herë të parë hyrjet e shtetasve nga Kosova kanë shënuar një rënie të ndjeshme.

“Për 7-mujorin (janar-korrik) erdhën 182 mijë shtetas nga Kosova, më pak se të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 17%. Edhe në korrik, tkurrja ishte e lartë me 33%, apo rreth 147 mijë shtetas më pak, teksa hynë në total 297 mijë shtetas nga Kosova (nga 444 mijë korrikun e një viti më parë)”, thuhet në të dhënat e raportin INSTAT.

“Rezulton se korriku ka qenë goditja fatale e turistëve nga Kosova që kanë braktisur masivisht Shqipërinë, ndonëse muaji i Ramazanit, që përgjithësisht step turistët e vendit që flet të njëjtën gjuhë, mbaroi në 26 qershor. Rënia në korrik ishte aq e lartë, saqë nuk u arrit të kompensohej nga dhjetëra turistë të shteteve të tjera (në korrik numri i të huajve që hynë në Shqipëri ra lehtë në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë”, vazhdon raportoi INSTAT.

Pavarësisht rënies, shtetasit nga Kosova mbeten thelbësorë për turizmin shqiptar, teksa zinin 33% të totalit të hyrjeve për 7-mujorin 2017, nga 42% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Monitor.al.

Rënien e numrit të turistëve nga Kosova e konfirmojnë edhe vetë hotelet në zonën e Durrësit.