S’ka reformë fiskale pa konstituimin institucioneve

S’ka reformë fiskale pa konstituimin institucioneve

Ministri i Financave Agim Krasniqi, sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën Ruud Vermeulen, ku është diskutuar për trendet e politikës fiskale dhe ekonomike, si dhe për ekzekutimin e buxhetit të vitit 2017.

Krasniqi dhe Vermeulen ndanë shqetësimin e përbashkët se vonesa në konstituimin e institucioneve të reja po shkakton sfida në vazhdimin e reformave të nevojshme fiskale, përfshirë këtu edhe reformën e skemave përfituese të veteranëve të luftës.

Në një komunikatë për media të MF-së, bëhet e ditur se gjatë takimit, ministri Krasniqi ka theksuar përkushtimin e Ministrisë së Financave për përmbushjen e obligimeve të Kosovës si anëtare e FMN-së për mbarëvajtjen e stabilitetit makro-financiar.

“Në këtë drejtim, ai e siguroi përfaqësuesin e FMN-së se Ministria e Financave vazhdon të monitorojë ekzekutimin e shpenzimeve buxhetore në baza ditore për të mbarëvajtur nivelin e  lartë të disiplinës fiskale”, thuhet në komunikatë.