S’ka pjesëmarrje në zgjedhje lokale pa i paguar borxhet

07.08.2017 23:47
S’ka pjesëmarrje në zgjedhje lokale pa i paguar borxhet

Për t’u certifikuar për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, subjektet politike duhet të paguajnë borxhin që e kanë nga gjobat e shqiptuara lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

337 mijë e 533 euro është borxhi i përgjithshëm i papaguar nga subjektet politike, borxh ky i krijuar nga gjobat e shqiptuara gjatë zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti.

Zëdhënësi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku, tha për kallxo.com se këto subjekte që nuk kanë paguar gjobat e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Borxhi i përgjithshëm ka qenë 348.900.00 euro. Nga koalicioni PAN janë paguar 11,367 euro. Të papaguara janë: 337,533.00 euro. Të gjitha subjektet politike qe janë dënuar me gjoba në zgjedhjet e 11 qershorit e që nuk i kanë paguar ato gjoba nuk mund te certifikohen nga KQZ-ja dhe nuk kanë te drejtë të garojnë ne zgjedhjet lokale te 22 tetorit 2017”, tha Desku.

Edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, është pyetur nëse nga subjektet politike ka pasur dorëzim të aplikimeve.

Ai tha se afati i fundit për këto dorëzime është 22 gushti.

“Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 22 gushti. Pra, deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për asamble komunale”, tha Elezi.

Ai tha se deri më tani askush nuk ka aplikuar, ndërsa shtoi se kishte interesim lidhur me kushtet të cilat duhet plotësuar për të aplikuar.

“Përgatitjet për zgjedhjet lokale janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë. Subjektet politike të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale kanë afate për me aplikua dhe me u certifikua në KQZ deri më 22 gusht 2017”, tha Elezi.