Sjellja e tifozëve shqiptarë zhgënjen Taren dhe Canën

Sjellja e tifozëve shqiptarë zhgënjen Taren dhe Canën

Sjellja e tifozëve shqiptarë në tribunat e “Renzo Barbera” të Palermos gjatë ndeshjes Itali-Shqipëri shkaktoi jo pak habi dhe reagime.

Hedhja e tymueseve në fushë që ndrëpreu lojën për 9 minuta u dënua ashpër nga opinioni i përgjithshëm sportiv dhe FSHF mori masa duke përjashtuar nga stadiumi tifogrupin përgjegjës, “Illyrian Elite”.

Në një prononcim për “Top Channel”, zhgënjimin në lidhje me ngjarjen e ndodhur e shprehën edhe dy ish-kapitenë të kombëtares, Igli Tare dhe Lorik Cana.

“Absolutisht jam shumë i zhgënjyer shumë i indinjuar për atë që tifozët tanë me spektaklin e urryer dhanë imazhin më të keq të tifozerisë shqiptare. Humbi çdo vlerë e ndeshjes edhe loja e bukur e skuadrës, kaloi në plan të dytë”, tha Igli Tare.

“Është për t’u çuditur pasi në këto 15 vitet e fundit nuk na ka ndodhur sidomos jashtë vendit. Nuk i di arsyet, por çfarëdo arsye të jetë, nuk është e arsyetueshme”, u shpreh Lorik Cana.