Simpatizantët e Tahirit fyejnë gazetarët (Video)

Simpatizantët e Tahirit fyejnë gazetarët (Video)

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pas mbrojtjes që bëri në Këshillin e Rregulloreve, Mandateve dhe Imunitetit, është larguar nga mbledhja.

Ai ka dalë jashtë Kuvendit, ku e prisnin dhjetëra simpatizantë.

Tahiri fillimisht ka dhënë një deklaratë për mediet dhe më pas është larguar me shumë vështirësi.

Simpatizantët e të gjitha moshave, e kanë pritur me brohoritma, duke deklaruar se ai është i pafajshëm.

Nuk kanë munguar as puthjet, përqafimet, rrahjet e shpatullave.

Simpatizantët e pritën me entuziazëm, por edhe me ofendime për disa nga gazetaret për faktin se po i bënin pyetje “benjaminit” të tyre.

‘’Gazetare e qelbur”, “turitharë”, ”plehra”, ”ta kap prej leckash”, ”t’a heqin nga televizioni”, ”malok” (duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha”, këto janë vetëm disa nga fyerjet e bëra ndaj gazetareve që ishin përballë Tahirit.

Mes tyre Tahiri e ka çarë rrugën me zor, për t’u larguar e për ta pritur tjetërkund lajmin për heqjen ose jo të imunitetit.

Por, kjo mbështetje surprizuese nuk është e panjohur për Tahirin. Kujtojmë se edhe në kohën që ishte ministër i Brendshëm, ai u përshëndet me falënderime e banderola.