Simmons hetohet për rastin “Kleçka”, “Medicus”, “Drenica 2” dhe të Naser Kelmendit

Simmons hetohet për rastin “Kleçka”, “Medicus”, “Drenica 2” dhe të Naser Kelmendit

Klauss Weisst është person fiktiv. Emri i tij dyshohet se është përdorur nga Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX, i cili të enjten dha dorëheqjen nga drejtimi i institucionit ku shërbeu për disa vjet. Simmons, i cili është shfaqur në mediat franceze duke akuzuar EULEX-in dhe BE-në për korrupsion, ka histori të gjatë të telasheve brenda Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Gazeta është informuar se ndaj tij janë zhvilluar ose janë në zhvillim e sipër gjashtë hetime, shkruan sot Koha Ditore.

E-mailat drejtuar misionit evropian nga Klauss Weisst, me akuza për këtë mision, dyshohet se janë shkruar nga vetë Simmons. Për këtë ndaj tij është duke u zhvilluar një hetim i brendshëm. Britaniku, i cili po akuzon për korrupsion në mesin e stafit ndërkombëtar që shërbejnë në Kosovë, nga burime të gazetës të afërta me EULEX-in, është përshkruar si gjyqtar që ka pasur raporte të mira me njerëz të fuqishëm politikë në Kosovë.

Madje, gjyqtar që ka shprehur vullnetin të dëshmojë në favor të rastit “Kleçka”, ku në mesin e të akuzuarve ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Madje vetë Limaj ditë më parë ka kërkuar që pikërisht Simmons të bëhet dëshmitar në gjykimin e tij për korrupsion. Këtë kërkesë e ka refuzuar gjykata.