Simmons dyshon në pavarësinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj aferave që ka ngritur

Simmons dyshon në pavarësinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj aferave që ka ngritur

Malcom Simmons nuk është befasuar aspak me reagimet e sulmet ndaj tij që pasuan, pasi foli publikisht për afera korruptive brenda misionit të EULEX-it.

Ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it mbetet i shqetësuar për pavarësinë e hetimeve që po zhvillohen për pretendimet e tij.

Pas dorëheqjes nga pozita e kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it. Simmons ka folur ekskluzivisht për KTV-në, duke thënë se ekipi hetues është përzgjedhur nga i njëjti person që është i përfshirë në aferat që ai i ka denoncuar.

“Mekanizmi i BE-së për Ndërveprime të Jashtme thonë se jam objekt hetimi për pretendime serioze. Ekipi hetues është zgjedhur nga një anëtar i këtij Mekanizmi, të cilin e akuzoj për keqadministrim dhe pengim të hetimit. Ky person ka përzgjedhur ekipin hetues. Hetuesit kanë dështuar të intervistojnë ndonjë nga dëshmitarët, që avokatët e mi i kanë identifikuar si qendrën e hetimeve. I njëjti individ ka përcjellë pretendimet tek Bordi Disiplinor. Prapë ju pyes: A është ky një proces i paanshëm dhe objektiv?”, ka thënë Simmons.

Kohavisioni merr vesh se personi për të cilin Simmons gjithashtu kishte ngritur dyshime për keqpërdorime, është Keneth Dean – shef i misioneve civile të BE-së.

Në drejtim të Federica Mogherinit, Simmons thotë të ketë dërguar mbi 20 raste për afera korruptive brenda misionit por edhe në institucione të BE-së, por që kanë mbetur pa u hetuar nga hetues të pavarur.

“I kam dërguar Përfaqësuese së Lartë mbi 20 pretendime për raste serioze të korrupsionit brenda misionit të EULEX-it dhe Mekanizmit të BE-së për Ndërveprime të Jashtme. Deri tani, nuk ka pasur asnjë hetim të pavarur për ato pretendime”, ka thënë Simmons.

Sipas Simmons, vetë mënyra se si u përgjigj ky mekanizëm pas daljes publike të tij, tregon për mënyrën se si BE-ja reagon ndaj gjyqtarëve që ngritin shqetësime të tilla.

Pasi bëri të ditur dorëheqjen për Le Monde, duke treguar arsyet për këtë veprim, në reagimet që erdhën nga EULEX-i e BE, u tha se edhe vet ai po hetohej për disa pretendime serioze.