Sikurse më 22 tetor – PDK “denoncon” Bahtirin për të njëjtën gjë edhe sot

Sikurse më 22 tetor – PDK “denoncon” Bahtirin për të njëjtën gjë edhe sot

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka “denoncuar” fenomenin e vjedhjes së votave, të njohur si “treni bullgar”, në Mitrovicë. Sipas kësaj partie, njerëzit e afërt të Agim Bahtirit të AKR-së janë duke e aplikuar këtë fenomen.

Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka thënë se njerëzit e Agim Bahtirit po e prishin procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës.

“Është raportuar për arrestimin e një personi, në Zhabar të Poshtëm të Mitrovicës, i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në. I ftojmë organet e rendit që të mos lejojnë cenimin e procesit demokratik zgjedhor, pas veprimeve të ulëta të njerëzve të Agim Bahtirit të cilët po e prishin procesin duke e aplikuar për të satën herë “trenin bullgar”, ka thënë Deliu-Kodra.

Të njëjtën akuzë ndaj AKR-së, PDK-ja e kishte dhënë edhe në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Më 22 tetor, Abelard Tahiri nga PDK, ksihte thënë se humbësit e këtyre zgjedhjeve të pa shpresë përmes ‘trenit bullgar’ po tentojnë të përmbysin rezultatin.

“Shqetësuese e kemi rastin në Mitrovicë, ku Partia Demokratike e Kosovës dega në Mitrovicë veç se ka denoncuar fenomenin, tendencën, rreth organizimit të ashtuquajturit ‘treni bullgar’”, kishte thënë PDK-ja, duke “denoncuar” veprimet e militantëve të AKR-së.

Tahiri, asokohe kishte bërë apel që ky fenomen të hetohej nga organet e drejtësisë. /Insajderi.com