Sigal Prishtina, skuadra e vetme pa humbje në stinorin vjeshtor në IP Superligën e Kosovës

Sigal Prishtina, skuadra e vetme pa humbje në stinorin vjeshtor në IP Superligën e Kosovës

Sigal Prishtina e ka përmbyllur me fitore stinorin vjeshtor në IP Superligën e Kosovës në basketboll.

Sigal Prishtina është skuadra e vetme që nuk e ka regjistruar asnjë humbje në stinorin vjeshtor, ku nga 14 xhiro ka realizuar po aq fitore, e ndjekur nga Bashkimi që ka bilanc prej 10 fitore e 4 humbje, Rahoveci me 8 fitore e 6 humbje, Golden Eagle Ylli me 8 fitore e 6 humbje, Peja me 5 fitore e 9 disfata, Trepça me 5 fitore e 9 humbje, Kerasan Prishtina me 4 fitore e 10 disfata dhe Borea me 2 fitore e 12 humbje.

Bardhekaltrit të premten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e kanë mposhtur ekipin e Rahovecit me rezultat 98:72 (27:10, 23:15, 19:20, 29:27).

Më të merituarit për triumfin e Sigal Prishtinës ishin Granit Rugova me 29 pikë, 5 kërcime e 2 asistime, Wayne Martin me 20 pikë, 13 kërcime e 8 asistime dhe Alban Veseli me 18 pikë, 6 kërcime e 3 asistime.

Stinori pranveror në IP Superligën e Kosovës do të fillojë me xhiron e XV që do të zhvillohet më 13/14 janar 2018. /Insajderi