Si u punësuan 69 persona pa konkurse në spitalet e Kosovës

Si u punësuan 69 persona pa konkurse në spitalet e Kosovës

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka punësuar 69 persona pa procedura të rekrutimit, gjatë vitit 2016.

19 prej këtyre personave janë punësuar në Qendrën Klinike Universitere të Kosovës në Prishtinë, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Përmes një raporti vjetor financiar të përpiluar nga ZKA, është bërë e ditur se angazhimi i rreth 70 vetave është bërë vetëm me vendimet e Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, Curr Gjocaj dhe drejtorëve të institucioneve vartëse, raporton Insajderi.

“Testimet tona kanë vënë në pah se ShSKUK ka angazhuar 69 vetë me marrëveshje për shërbime të veçanta. Prej tyre 19 në QKUK, 40 në Spitalet e Përgjithshme dhe dhjetë (10) në Qendrat e Shëndetit Mental. Angazhimi i tyre ishte bërë pa aplikuar procedura të konkursit publik por vetëm me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së dhe Drejtorëve të institucioneve vartëse. Për më tepër, shumica e të angazhuarve në këtë formë janë vendosur në pozita të cilat duhet të mbulohen me staf të rregullt të Institucionit”, njofton Auditori Gjeneral.

Auditori i Përgjithshëm, po ashtu ka identifikuar 12 raste në QKUK dhe dy (2) raste në Spitalin në Mitrovicë ku stafi i brendshëm janë avancuar në pozita me gradë-koeficientë më të lartë pa procedura të konkurrimit.

E nga kjo mënyrë e të punësuarit të njerëzve mund të shkaktojë efikasitet të ulët në spitalet e Kosovës, thotë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

“Mospërfillja e procedurave me rastin e rekrutimit dhe avancimit të stafit mund të rezultojë në mos-efikasitet operacional pasi që persona jo adekuat mund të caktohen në pozitat e caktuara duke penguar arritjen e objektivave të organizatës”, thotë Auditori Gjeneral. /Insajderi.com