Si u ndërrua vendi i stadiumit olimpik në Drenas, pa lejen e FFK-së

Si u ndërrua vendi i stadiumit olimpik në Drenas, pa lejen e FFK-së

Stadiumi i Olimpik i Kosovës do të ndërtohet në Drenas e jo në Bërnicë të Poshtme siç ishte përcaktuar kohë më parë. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Por, FFK-ja nuk është dijeni për këtë ndërrim të lokacionit. Ndërkohë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka vizituar ditë më parë vendin ku do të ndërtohet stadiumi.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve kohë më parë kishte përcaktuar lokacion Bërnicën e Poshtme, që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh për ndërtimin e një stadiumi Olimpik.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë pjesëmarrjes në konferencën e tetë të kryetarëve të Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Budapest, tha se Kosova  do të ndërtojë Stadiumin Olimpik në Drenas.

“Hungaria do ta ndihmojë Kosovën në ndërtimin e Stadiumit Olimpik në Drenas që do të jetë një ndër më të bukurit. Do të ndërtohet edhe një stadium Olimpik në Prizren, ndërsa do të rregullohen edhe ata të Mitrovicës dhe Prishtinës”, deklaroi Veseli.

Kështu kishte thënë ditë më parë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili madje edhe ka vizituar tokën e ndarë për ndërtimin e saj.

Por, lidhur me këtë ndërrim lokacioni nuk di asgjë FFK-ja. Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Express nënkryetari, Agim Ademi.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, u përgjigj fillimisht Ademi kur u pyet për ndërrimin e lokacionit.

“Vendi është caktuar kohë më parë nga Qeveria e mëparshme. Është nda edhe toka që tashmë është në pronësi të MKRS-së. Ka filluar edhe fizibiliteti ku kanë konkurruar nëntë kompani. Ata janë përgjegjës për këtë punë”, shtoi numri dy i FFK-së.

Pavarësisht se Veseli thotë se stadiumi do të ndërtohet në Drenas, Ademi shpreson që punimet të nisin aty ku edhe është caktuar kohë më parë, Bërnicë të Poshtme.

“Ne nuk kemi asgjë në dorë. Ne e kemi pranuar atë vend (Bërnicë e Poshtme). Mendojmë se do të vazhdojë ndërtimi në Bërnicë sepse për aty është bërë fizibiliteti dhe kompania që fiton shpresoj t’i nisë sa më parë punimet”, u shpreh Ademi.

Sipas Ademit, vendi nuk luan shumë rrol – e rëndësishme është që Kosova sa më parë të bëhet me stadium.

“Është e rëndësishme që të bëhet stadiumi Nacional, kjo është më e rëndësi. Ne mendojmë dhe shpresojmë të jetë aty (Bërnicë), por me rëndësi është që të ndërtohet pa marr parasysh ku”, shtoi mes tjerash Ademi