Si tentuan amerikanët të arrestojnë Karagjiqin me një kostum gorille

Si tentuan amerikanët të arrestojnë Karagjiqin me një kostum gorille

Pas masakrës së Srebrenicës në korrik 1995 Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë kundër Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mlladiqit, por bashkësia ndërkombëtare, konkretisht trupat paqeruajtëse të stacionuara në Bosnjë nuk tregonin ndonjë interesim për t’i arrestuar dy të dyshuarit për krime të luftës.

Më shumë prioritet kishte ruajtja e stabilitetit se sa sjellja para drejtësisë e Karagjiqit dhe Mlladiqit.

Ata u tërhoqën nga jeta publike dhe rreth vetes kishin një grup të konsiderueshëm mbrojtësish. Një ditë një ushtari amerikan iu kujtua filmi i horrorit “Motel Hell”, një prodhim amerikan i vitit 1980. Dhe ideja ishte kjo: në njërën nga rrugët ku mendohej se do të lëvizte Radovan Karagjiqi njësia amerikane “Delta Force” do të ngrinte një kurth.

Amerikanët ishin të vetëdijshëm se lideri i serbëve të Bosnjës nuk do të binte në kurthe të tipit kur dikush e lë veturën gjoja të prishur në rrugë apo kur inskenon një kontroll policor. Në filmin “Motel Hell” kanibalët kapnin viktimat e tyre duke vendosur në rrugë lopë prej kartoni.

Amerikanët shkuan një hap më tutje në Bosnjë dhe vendosën në rrugë – një gorillë. Për këtë qëllim nga SHBA-të u soll një kostum i gorillës, i cili u vendos në një rrugë të Bosnjës. Pritja ishte që konvoji i Karagjiqit do të ndalej kur të shihte një gorillë. Siç dihet gorilla ka në vende të Afrikës, por jo në Bosnjë. Për fatin e keq të amerikanëve Karagjiqi nuk kaloi atypari.

Historinë me gorillën së pari e ka përshkruar gazetari britanik Julian Borger në librin e tij “Gjurma e kasapit”, ndërsa këto ditë e kanë aktualizuar gazetat “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Jutarnji list”. Kërkimi i Karagjiqit dhe Mlladiqit u intensikua pas rizgjedhjes së Bill Clintonin president të SHBA-ve dhe pas zgjedhjes së Tony Blairit si kryeministër britanik në vitin 1997.

Sekretarja e atëhershme amerikane e shtetit Madeleine Albright deklaronte se procesi i ndërtimit të Bosnjës nuk do të arrihej kurrë nëse nuk do të arrestoheshin të akuzuarit për krime të luftës. Operacioni i parë i quajt “Tango”: një njësi speciale britanike u dërgua në Bosnjë dhe arriti të arrestojë disa të dyshuar për krime të luftës, të cilët nuk kishin rrjet të fuqishëm mbrojtës.

Pastaj Karagjiqi dhe Mlladiqi ikën në Serbi, ku gëzonin përkrahjen e Sllobodan Millosheviqit. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përmend rastin e Stevan Todoroviqit, ish-shef i policisë në Bosanski Shamac, i dënuar në Hagë me 10 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Todoroviq u kidnapua në Serbi nga katër mercenarë të shërbimeve sekrete amerikane. Pasi e rrëmbyen Todoroviqin ata e futën në një veturë dhe pastaj me barkë e sollën në anën tjetër të Drinës në Bosnjë, ku prisnin agjentët e CIA. Ky rast ua futi tmerrin Karagjiqit dhe Mlladiqit. Pas ardhjes në pushtet në Serbi të Zoran Gjingjiqit rrethi filloi të ngushtohej: Gjingjiq dorëzoi Millosheviqin në Hagë dhe po mendonte që të njëjtën gjë të bëjë edhe me ish-liderët serbë të Bosnjës.

Por, Mlladiq dhe Karagjiq gëzonin përkrahjen e kryetarit të atëhershëm të Jugosllavisë së cunguar, Vojisllav Koshtunica. She i atëhershëm i shërbimit sekret serb Rade Bullatoviq, i cili tani është ambasador i Serbisë në Ukrainë, u kujdes që Mlladiqi të jetë i paprekshëm. Karagjiqi qëndroi në liri deri në vitin 2008 – dhe u arrestua pak ditë pas lirimit nga funksioni të Bullatoviqit.

Mlladiq nuk kishte më mbrojtës dhe vendosi të jetojë në ilegalitet deri kur u arrestua në maj të vitit 2011. Arrestimi i tij ndodhi pasi njëri nga anëtarët e familjes së tij gjatë një bisede telefonike foli pak më shumë se ç’duhej