Si të votoni në zgjedhjet lokale, sqaron KQZ-ja

Si të votoni në zgjedhjet lokale, sqaron KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sqarime se si duhet të plotësohen fletëvotimet në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

“Për Zgjedhjet Lokale janë dy fletëvotime, një për kryetar të komunës, i cili do të ketë ngjyrë të verdhë, dhe një për Kuvend Komunal, i cili do të ketë ngjyrë të kaltër”, sqaron njoftimi i KQZ-së.

Hapi 1

Pasi të hyni në kabinën e votimit, sigurohuni që fletëvotimet janë të vulosura.

Hapi 2

Në fletëvotimin për Kryetar Komune, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, ju duhet të shënjoni vetëm një kandidat.

Hapi 3

Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, në anën e majtë të tij, ju duhet të shënjoni vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të fletëvotimit duhet të shënjoni vetëm një kandidat.

Për të mbrojtur fshehtësinë e votës, paloseni fletëvotimet para se të largoheni nga kabina, thuhet në njoftimin sqarues të KQZ-së./Insajderi.com