Si plaçkiten kosovarët në emër të ambientit – “avullohen” miliona euro çdo vit

Si plaçkiten kosovarët në emër të ambientit – “avullohen” miliona euro çdo vit

Qytetarët e Kosovës ishin detyruar të paguanin 10 euro në vit për regjistrimin e veturave në emër të mbrojtjes së ambientit. Por pavarësisht detyrimit të kosovarëve, për t’i paguar taksë shtesë për ta mbrojtur ambientin, Prishtina renditet si njëri ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Në vitin 2012 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar “Ligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve”, me qëllim të mbrojtjes së ambientit.

Kjo taksë paguhet nga qytetarët e Kosovës, sa herë ata regjistrojnë veturat e tyre, mirëpo pavarësisht kësaj, gjendja e mjedisit në Kosovë nuk është përmirësuar.

Në atë kohë sa ka qenë ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, kishte thënë se taksa ekologjike dhe taksat tjera që mblidhen në emër të mbrojtjes së mjedisit, do të menaxhohen nga Ministria e Mjedisit dhe do të dedikohen vetëm për këtë çështje.

Mirëpo sipas gjendjes aktuale të ambientit, niveli i ndotjes së ajrit nuk është përmirësuar dhe ka arritur në vlerat maksimale të ndotjes, duke e bërë kështu kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, vendin e parë në botë për cilësinë më të ndotur të ajrit.

Por siç ka konfirmuar edhe vet ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj e cila tha se miliona eurot nga taksa ekologjike, që paguhen nga kosovarët edhe kur importojnë vetura por edhe kur i regjistrojnë ato çdo vit, shkojnë direkt tek Ministria e Financave.

Pra janë bërë gjashtë vjet që nga miratimi i këtij vendimi dhe siç duket qeveria e Kosovës këto mjete nuk i ka përdorur në ngritjen e cilësisë së mbrojtjes së ambientit por vetëm janë derdhur në fondin e buxhetit të saj.

Shuma e kësaj takse varet nga pesha e automjetit. Ato automjete të cilat janë nën peshën 3.5 ton qytetarët janë të detyruar të paguajnë 40 euro, ndërsa ato automjete të cilat kanë peshën mbi 3.5 ton shumë të cilën duhet të paguajnë është 90 euro.

40 euro janë taksë rrugore, 10 euro janë taksë ekologjike të cilat asnjëherë nuk janë dhënë në fond të veçantë por kanë shkuar direkt në buxhet të Kosovës.

Por Prishtina është bërë njëri nga vendet më të rrezikshme për të jetuar dhe lidhur me këtë çështje Komuna e Prishtinës dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj kanë disa masa për parandalimin e ndotjes së ajrit.

Një nga masat ka qenë ndalimi i qarkullimit të automjeteve në rrugët e kryeqytetit nga ora 06:00 – 22:00, shitja e thëngjillit brenda territorit të Kosovës si dhe udhëtimi pa pagesë me autobusë të trafikut urban.

Lidhur me çështjen e ndotjes së ajrit, sot është mbajtur një protestë në sheshin “Skënderbeu”. Ku është kërkuar që të marrin veprime sa më të shpejta për përmirësimin e ajrit.

Gjatë vitit 2017 në Kosovë janë importuar rreth 30 mijë vetura të vjetra  ndërsa vetëm 2 mijë e 500 prej tyre kanë qenë të reja. Ndërsa më shumë se 27 mijë janë të përdorura. /Insajderi.com