Si mund të përfitojmë nga Çakorri?

05.12.2017 15:22

Deputetët kanë në dorë të ardhmen e vendit. Ata mund të vendosin nëse kosovarët mund ta vizitojnë pa pengesa Romën, Vjenën, Parisin, Kopenhagën, apo ta vizitojnë Çakorrin dhe Zhlepin. Është në dorën e deputetëve nëse duan që prindërit të vizitojnë fëmijët e tyre në Evropë, që studentët të bëjnë udhëtime për çështje studimesh, apo nëse fatin e tyre ta lënë në duar të mashtruesve me viza siç është Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Milaim Zeka, apo njeriu i kërkuar nga Interpoli – Izet Beqiri.

Si mund të përfitojmë nga Çakorri?

Posterë me ngjyra të vjetruara e parulla bajate qëndrojnë ende në xhamat e dritareve të selisë së AAK-së në Prishtinë.

“Kufiri deri në Çakorr”, shkruan në njërin prej tyre.

Çakorri e Zhlepi mund të mos jenë të Kosovës, por të Malit të Zi. Këtë mund ta vendosë Kuvendi i Kosovës pas dërgimit të Ligjit për Demarkacionin në Kuvend.

Kauza e Haradinajt për pushtet – demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është arritur. Gati 100 ditë po i bën si kryeministër.

Me të arritur këtë qëllim – pushtetin, Haradinaj thuajse ka hequr dorë nga Çakorri, Zhlepi dhe 8 mijë hektarët tokë. Është e kuptueshme që ai nuk mund ta thotë se Kosova nuk humb territor.

Të hënën e çoi në Kuvend Ligjin për Demarkacionin me Malin e Zi – atë të vjetrin së bashku me një raport të hartuar nga Shpejtim Bulliqi.

Ky version ose do të miratohet dhe të përmbyllet mbase kapitulli më të turpshëm i Kosovës në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve me një shtet anëtar të NATO-s, Malin e Zi, ose populli i Kosovës do të vazhdojë të zhytet edhe më shumë në izolim.

Haradinaj, ia la në dorë Kuvendit të ardhmen e vendit – ta votojë apo ta hedhë poshtë këtë version të ligjit. Nëse e voton, kosovarëve u hapën mundësi të reja. Nëse nuk e voton vendi do të futet në një fazë tjetër të paqartësisë.

Sidoqoftë dikush duhet të japë përgjegjësi për gjithë këtë situatë? Për izolimin e kosovarëve si kafshë brenda një territori, sigurinë e të cilit e garanton NATO?

Nëse miratohet ky version, dikush duhet t’u kërkojë falje gjithë atyre policëve të lënduar gjatë protestave të dhunshme të opozitës së bashkuar.

Dikush duhet t’i kërkojë falje deputetëve që pësuan nga gazi lotsjellës.

Dikush t’i kërkojë falje Isa Mustafës, shtëpia e të cilit u sulmua me molotov. Dikush duhet t’u kërkojë falje nipave dhe mbesave të Isa Mustafës, që u gjenden brenda një shtëpie që thuajse po digjej nga protestuesit kundër demarkacionit.

Dikush duhet t’u kërkojë falje atyre 100 mijë protestuesve që u nxorën në sheshet e Prishtinës verën e kaluar për një kauzë të paqenë?

Duhet dikush t’i kërkojë falje Murat Mehës për epitetet që iu vunë. Për jetën që iu rrezikua atij dhe familjes së tij me vendosjen e bombës.

Nëse kufiri nuk shkon përtej Çakorrit e Zhlepit, i vetmi njeri që duhet t’u kërkojë falje të gjithë këtyre është Ramush Haradinaj.

Haradinaj, ka ndikuar që Murat Meha, brenda natës të shndërrohet në njeriun më të urryer në Kosovë.

Nga një zyrtar burokrat profesionist në fushën e tij – Mehës iu veshën epitete si “peder”, “tradhtar”, “i korruptuar”, “shitës territori”. Në këtë frymë urrejtjeje dhe linçi publik, Mehës iu rrezikua jeta.

Të gjitha këto falë Ramush Haradinajt, i cili aso kohe nuk kishte kauzë tjetër pos Çakorrit dhe Zhlepit për ta rrezuar Qeverinë dhe për të ardhur vetë në pushtet.

Dje pamë një cirk të improvizuar brenda Qeverisë së Kosovës. Një grup që e quan vetën ekspertë prezantuan një raport me të cilin konstatuan se Kosova humb territor.

Por, cilin territor? Atë që nuk e kishte, apo atë që donte ta kishte?

Pa pretenduar njohësin e kësaj çështjeje, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj bazuar në dokumentin e presidentit, Ahtisaari. Ky dokument nga i cili rrjedh Kushtetuta, Çakorrin dhe Zhlepin nuk e ka brenda territorit të Kosovës.

Meritori për izolimin e Kosovës për kaq kohë dhe tensionimin e marrëdhënieve me Malin e Zi është Ramush Haradinaj, i cili kauzën e tij e mbështeti mbi pretendimet paushall të Shpejtim Bulliqit.

Të hënën në një mbledhje krejtësisht të improvizuar, u lexua një dokument i hartuar nga një komision i drejtuar prej Bulliqit, për të cilin u paguan 50 mijë euro sikur të ishin mercenarë lufte.

Po me kaq improvizim, kryeministri Haradinaj dërgoi në Kuvend Ligjin për Demarkacionin të shoqëruar me raportin e Bulliqit.

Dhe me të drejtë, Haradinaj e Bulliqi u vunë në thumb të kritikave përfshirë ish-kryeministrin, Isa Mustafa. Atyre nuk pat kush t’u përgjigjej më. Haradinaj, ia arriti qëllimit – rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe ardhjen në pushtet.

E, Bulliqi ishte i lodhur dhe kishte nevojë për gjumë.

Sigurisht që ka qenë i lodhur sepse ka harxhuar energji të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj kohe duke mashtruar një popull të terë se kinse po humb territor. Bulliqi, ka harxhuar shumë energji që për dy vjet arriti që një popull të terë ta mbajë të izoluar.

Bulliqit duhet t’i japim kohë që të pushojë aq sa të ketë nevojë. Sepse ka bërë punë të jashtëzakonshme për të na mbyllur secilën mundësi që ky popull të paktën të mund të lëvizë i papenguar.

Deputetët kanë në dorë të ardhmen e vendit. Është në dorën e tyre nëse duan që populli votues të ketë më shumë mirëqenie, ose të zhytet edhe me thellë në dëshpërim.

Është në dorën e tyre nëse duan që sa e sa nëna e baballarë të mund t’i vizitojnë fëmijët e tyre në Evropë. Është në dorën e tyre nëse duan që studentët të mund të udhëtojnë në Romë, Berlin, Vjenë për qëllime studimi.

Është po ashtu në dorën e tyre nëse këtë popull që ka nevojë të lëviz ta lënë në duar të mashtruesve me viza siç është Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Milaim Zeka e i kërkuari nga Interpoli – Izet Beqiri.

Votimi i Ligjit për demarkacionin nuk ka alternativë. Mund ta bëjnë këto ditë, apo ta shtyjnë për vitin 2018-2019-2020 apo 2030. Deri atëherë, popullata mund të jetojë brenda një tharku thish.

[email protected]