“Si mund të lidhim koalicion me ata që dorëzuan 70 dosje në prokurori?”

“Si mund të lidhim koalicion me ata që dorëzuan 70 dosje në prokurori?”

Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti, ka hedhë shumë kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë për ta se, edhe po kërkojnë të bëhet koalicion, por edhe nuk janë të gatshëm për bashkëpunim.

Ai ka hedhë dileme se, si ka mundësi që Vetëvendosje të kërkojë bashkëpunim me ata për të cilët i ka dorëzuar 70 dosje në prokurori, duke aluduar në dosjet kundër ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, gjatë qeverisjes së tij me komunën.

“Si mund të kërkojnë bashkëpunim me njerëzit për të cilët kanë dorëzuar 70 dosje në prokurori. Ne jemi të njëjtit njerëz”, ka thënë Hoti.

“Sot në Kuvendin e Kosovës keni dëgjuar vetëm moralizime nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Ata duan koalicion me LDK-në, por nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me LDK-në siç kërkohet. Rruga e vetme e bashkëpunimit me ne shkon përmes rrugës së qartë për sulmet fizike dhe shpifjet që janë bërë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.

Hoti ka kërkuar prej Vetëvendosjes që të deklarohet rreth atyre dosjeve.

“Ata duhet ta kenë dinjitetin minimal që së paku të deklarohen se ato sjellje kanë qenë metodë për të ardhur në pushte”, ka shtuar ai.

Shefi i GP të koalicionit LAA, Avdullah Hoti, ka kritikuar edhe mënyrën e mbajtjes së seancës së sotme, duke thënë se, ajo është përdorur nga PDK-ja dhe Vetëvendosja për qëllime të ulëta./Insajderi.com