Si e shkelen ligjin e Kosovës për të shkuar në Bruksel – shteti në dorë të Hoxhajt dhe Jevtiçit

Si e shkelen ligjin e Kosovës për të shkuar në Bruksel – shteti në dorë të Hoxhajt dhe Jevtiçit

Liderët institucional të Kosovës po qëndrojnë së bashku në Bruksel duke shkelur me të dyja këmbët mbi ligjin. Protokolli i Shtetit nuk lejon që presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari të jenë jashtë shtetit në të njëjtën kohë.

Me ligj kërkohet që të ketë një bashkërendim mes agjendës së tre udhëheqësve kryesorë, në mënyrë që shteti të mos mbetet pa praninë e së pakut njërit prej tyre.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet specifikisht në Nenin 19 të Ligjit për Protokollin e Shtetit, shkruan AktivPress

Por kjo normë juridike është shpërfillur nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli. Ata, pos që kanë shkuar vetë në Bruksel, kanë marrë me vete edhe tre zëvendëskryeministra, duke i lënë përkohësisht Enver Hoxhajn dhe Dalibor Jevtiçin si zyrtarët më të lartë në Kosovë.

Kur është hartuar ligji është menduar për rastet me të këqija. Një paralajmërim se nuk është mirë të udhëtojnë liderët e shtetit të gjithë së bashku është dhënë jo më larg se të martën mbrëma, kur avioni privat i numrit dy të Qeverisë, Behgjet Pacolli, për pak sa nuk ka përfunduar në hapësirën e Serbisë, duke rrezikuar kështu kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, si tre politikanë që kanë dosje të hapura në Serbi për shkak të së kaluarës së tyre në UÇK.

Shkuarja në Bruksel, megjithatë nuk paraqet shkeljen e parë që tre liderët e shtetit ia bëjnë ligjit. Njësoj kanë vepruar edhe në shkurt të këtij viti.

Thaçi pati udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”,  njësoj pati vepruar edhe kryeministri Haradinaj, ndërsa kryeparlamentari Veseli pati shkuar në Kroaci.