Si e sheh gazetari i New York Times-it Kosovën pas 10 vitesh

Një raportim i gazetarit të New York Times Andrew Testa nga Kosova në prag të festës për 10 vjetorin e pavarësisë.

Si e sheh gazetari i New York Times-it Kosovën pas 10 vitesh

Para dhjetë viteve, më 17 shkurt, ish krahina autonome jugosllave Kosova me më pak se 2 milionë banorë e shpalli pavarësinë e vet. Por deri tani Kosovën e kanë njohur vetëm 115 prej 193 shteteve anëtare të KB, ndërsa në mes vendeve që nuk e kanë bërë këtë janë Rusia, Kina, Serbia dhe pesë shtete anëtare të BE. Për këtë arsye Kosova është sot vendi i vetëm në tokën e Evropës pa liberalizim të vizave. Kufizimi i mundësisë së udhëtimit veçanërisht e godet vendin me popullatë më të re në Evropë – 70 për qind të popullatës është më e re se 35 vjeç, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Madje kryeministri Haradinaj kishte vështirësi të pajiset me vizë të Britanisë së Madhe, dhe para kësaj nga arsyeja e njëjtë nuk mundi të shkojë as  në SHBA.

Testa rregullisht e ka vizituar Kosovën qysh nga viti 1998 dhe ka raportuar mbi ngjarjet e luftës kur në vitin 1999 kishte intervenuar NATO në anën e banorëve shqiptarë kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit. Në spastrimin etnik janë dëbuar gati një milion shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e veta, dhe pas tërheqjes së Serbisë, Kosova ishte nëntë vite nën kontrollin e KB-së. Gjatë luftës janë zhdukur 4.500 njerëz, ndërsa më tepër se 1.600 personave ende konsiderohen të zhdukur.

Sot është shumë çka ndryshe, por Testa vëren se si optimizmi i pakufizuar i kosovarëve ishte shndërruar në zhgënjim dhe në një neveri gjerësisht e përhapur për korrupsionin.

Në pyetje se si ndihet me rastin e përvjetorit të pavarësisë, një kosovare e cila gjatë luftës e kishte humbur bashkëshortin dhe dy djem, ishte përgjigjur thjesht: “Mos pyet!”

Në dhomën e shtëpisë së vet ende i mban teshat e ekspozuara me vrima të plumbave. Këto tesha i kishin pas të veshur dy djem të saj, trupat e të cilëve janë gjetur.

Nëpër rrugët e Mitrovicës ende thellësisht të ndarë, kohë më parë u vra politikani serb Oliver Ivanoviq. Testa e kishte fotografuar  qysh në ditët e luftës derisa Ivanoviq me grupin e tij paramilitar i mbronte urat mbi lumin Ibër, i cili i ndanë zonat shqiptare dhe serbe. Në Mitrovicë një banorë i ka thënë gazetarit të NYT se policia është atje si lule, shërben vetëm për zbukurim.

Edhe pse ende mund të vërehen gjithkah plagët e luftës, panoramën e Kosovës e kanë ndërruar autostradat, stacionet e mëdha të karburanteve dhe qendrat tregtare.

Përkundër zhgënjimit të madh me situatën politike dhe ekonomike, ekzistojnë edhe shkëndijat e optimizmit. Për shembull, Testa vëren se Kosova ka lulëzuar në pikëpamjen artistike dhe kulturore, klubet dhe baret me muzikë live janë nëpër gjithë Prishtinën. Në fund të fundit, në skenën ndërkombëtare më nuk janë aspak të pazakontë emrat e yjeve nga Kosova, siç janë Rita Ora, Dua Lipa dhe Era Istrefi. Artisti i ri Petrit Halilaj e ka fituar shpërblimin e posaçëm të jurisë në Bienalin e Venedikut vitin e kaluar, të cilin rastësisht Testa e kishte fotografuar kur ai ishte 11 vjeç dhe si refugjat qëndronte në rresht për të marrë ushqim në Kukës të Shqipërisë. Eksperiencat të cilat i kishte përjetuar Halilaj gjatë luftës edhe më tutje kanë ndikim të rëndësishëm në punën e tij artistike./Insajderi.com.