Si e kishte rrahur presidenti Thaçi, zëvendësministrin e Jashtëm?

08.11.2017 14:25
Si e kishte rrahur presidenti Thaçi, zëvendësministrin e Jashtëm?

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj është njëri prej të arrestuarve të UÇK-së, në vitin 1998.

Dedaj së bashku me një delegacion të LDK-së kishte vizituar zonën e luftës në Drenicë. Por, misioni i tyre ishte ndalur në gjysmë. Anëtarët e delegacionit ishin arrestuar.

Dedaj është i vetmi që ka folur publikisht për këtë arrestim. Ai e pati akuzuar presidentin Hashim Thaçi se kishte maltretuar fizikisht.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në emisionin Rubikon në KTV në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.

 

Dedaj ishte shkarkuar për shkak se kishte keqpërdorur kreditkartën shtetërore, duke shkuar në Kukës për të nxjerr para prej saj.

Nuk kishte vonuar shumë dhe Dedaj ishte emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Dedaj kishte paralajmëruar se kur të flas për këtë ngjarje, do të tronditet Kosova.

“Gjergj Dedaj ende s’ka fol. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëviz në Kosovë”, kishte thënë Dedaj.

Dedaj që nuk ka as parti politike dhe nuk dihet çka përfaqëson është emëruar zëvendësministër i Jashtëm edhe ne Qeverinë Haradinaj. Në mandatin e kaluar ka qenë zëvendësministër i Kulturës.

Ai është akuzuar vazhdimisht për mashtrime të qytetarëve dhe abuzime me para të shtetit./Insajderi.com