Si dështoi demarkacioni dhe si rrezikon të bie nesër qeveria

Si dështoi demarkacioni dhe si rrezikon të bie nesër qeveria

Demarkimi i kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, po vazhdon që të mbetet ndër çështjet më delikate dhe më të komentuara në vend.

Edhe sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur që t’i japin fund njëherë e mirë kësaj çështje.

Ani pse shumë kush ka pritur që sot të jetë seanca e fundit, kur deputetët do të mblidhen për demarkacionin.

Në pritje që të nisjes së seancës së sotme, ambasadori amerikan, Greg Delawie, është angazhuar maksimalisht duke iu bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë pro demarkacionit.

“Jemi këtu për t’i nxitur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për ta votuar marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo marrëveshje është e drejtë, është e saktë. I nxis po ashtu të gjithë politikanët që të bëjnë kompromise për ta arritur votën Pro lidhur me këtë. Duhet gjithashtu ta mbajnë në mend cili është qëllimi i fundit me këtë marrëveshje, që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes për qytetarët. Abstenimi apo vota kundër në thelb është votë kundër kësaj marrëveshjeje. I nxisim edhe njëherë deputetët që të punojnë për të arritur te vota pro marrëveshjes”, ka thënë Delawie.

Por, me kërkesën e Delawies, që në start nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje.  Përpos që mbajtën qëndrim kundër, kjo parti ka dërguar padi në Prokurori ndaj presidentit Hashim Thaçi për “tradhti kombëtare”. Të ndarë në qëndrime kanë qenë edhe deputetët e pakicës serbe.

Ndryshe nga Lista Serbe, që përveç që nuk mori pjesë, përmes një njoftimi, tha se nuk e voton demarkacionin, Sllobodan Petroviq, nga SLS-ja, ishte pro ratifikimit.

“Njerëzit tanë janë të vetmit në këtë pjesë të Evropës që nuk mund të lëvizin lirshëm. Kjo është më tepër se një arsye e mirë për të votuar për këtë propozim. Sigurisht një arsye tjetër është që e gjithë bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të ditur qartë qëndrimin e vet se kjo është në interes të përgjithshëm. Kjo nuk është koha për poenë të lirë politikë. Pres që përfaqësuesit e partive politike në Kuvend të marrin përgjegjësinë dhe të mundësojmë të gjithë ne të punojmë për zgjidhjen e çështjeve që janë të rëndësishme për vendin”, ka thënë Petroviq.

Kur të gjithë prisnin që të filloi seanca siç edhe ishte paraparë, në skenë ka dalur grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata morën vendim që të  votojnë demarkacionin vetëm me një kusht – nëse ai sillet në Kuvend pa aneks marrëveshjen në mes presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, dhe po ashtu që brenda tij të mos jetë raporti i komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Kjo nuk u pranua nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Madje deputeti nga kjo parti, Rasim Selmanaj, kërcënoi me votë kundër nëse ndërron propozimi i kryeministrit.

Kurse, deputeti i pavarur, Labinot Tahiri, tha se do të heqë dorë nga pasaporta diplomatike nëse dështon votimi i demarkacionit.

Kjo shtyri Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, që të shtyjë seancën e Kuvendit, për ditën e nesërme (të premten).

Gjithë kjo bëri që në orët e mbrëmjes, si shpesh herë ambasadori amerikan, Greg Delawie, t’i mbledh spektrin politik në një takim.

Aty munguan anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

U raportua se në këtë takim është arritur një marrëveshje në mes palëve pjesmarrëse, PDK, AAK, NISMA dhe LDK, që të jenë të unifikuar, në mënyrë që nesër ta mundësojnë ratifikimin e demarkacionit.

Pal Lekaj, nga AAK, ka thënë për Insajderi, që nëse në seancën e nesërme vihen në dy zgjidhje: në mes rrëzimit të qeverisë apo kalimin e demarkacionit me kushtin e LDK-së, ai u shpreh se AAK është për të parën.

Ne në asnjë formë nuk e pranojmë kushtin e vënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për demarkacionin. AAK, kompromisin më të madh e ka bërë në momentin që ka pranuar që kësaj ështje t’ia vënë aneks marrëveshjen në mes presidentit kosovar dhe malazez. Ne nuk pranojmë asnjë marrëveshje jashtë këtij aneks marrëveshje dhe raportin e komisionit të Shpejtim Bulliqit. Le të bjerë qeveria, le të bëhet çfarëdo, por jashtë këtyre gjërave nuk do të shkojmë. Sepse AAK nuk do i tradhtojë votuesit e saj, në asnjë formë”, ka thënë Lekaj./raporton Insajderi.

“Më mirë le të rrëzohet Qeveria sesa ta pranojmë kushtin e LDK-së”

Të vendosur në qëndrimin e tyre po tregohen edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rexhep Selimi, deputet nga kjo parti, u shpreh për Insajderi, se kushti i LDK-së është i dëmshëm dhe kundër interesave të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u treguar joparimore me këtë temë. Ata qysh nfillim janë treguar të tillë dhe kanë punuar kundër interesave të Kosovës. Kjo u pa edhe me propozimin e ditës së sotme, me propozimin e saj lidhur me ratifikimin e demarkacionit”, ka thënë Selimi.

“Kushtet e LDK-së për demarkacion janë kundër interesave të Kosovës”

Nga burimet jozyrtare thuhet se nëse deri nesër në fillim të seancës, nuk arrihet një marrëveshje, për këtë ështje, atëherë seriozisht edhe mund të rrezikohet qeverisja Haradinaj. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, vazhdimisht kanë deklaruar se demarkacioni do ta dërgojë vendin në zgjedhje, edhe nëse do të arrihet ratifikimi i tij apo jo.

Kjo përshkak se në vitin 2017, ishte pikërisht demarkacioni me Malin e Zi, shkaktar i rrëzimit të qeverisë që udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Në atë kohë partneri i Mustafës, Partia Demokratike e Kosovës, akuzonte ish-shefin e qeverisë, që nuk po mund t’i jep zgjidhje kësaj teme.

Demarkacioni në mes Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon të mbetet kusht nga ana e BE-së, në mënyrë që kosovarëve t’u hiqet liberalizimi i vizave./Insajderi.com