Shutanovac dënon deklaratat e Nikoliqit: Po rrezikon jetët e serbëve në Kosovë

Shutanovac dënon deklaratat e Nikoliqit: Po rrezikon jetët e serbëve në Kosovë

Kreu i Partisë Demokratike të Serbisë, Dragan Shutanovac ka akuzuar presidentin Tomislav Nikoliç për “përhapjen e më shumë konflikteve dhe rrezikimin e serbëve të Kosovës”.

Sipas Shutanovac, Nikoliq po e bën këtë me “deklaratat luftënxitëse”.

Kreu i Partisë Demokratike serbe mendon se presidenti duhej të “qetësonte situatën” e krijuar pas ndaljes në Rashkë të trenit serb, që ishte drejtuar për në Mitrovicë.

“Nikoliq e ka provuar veten si një person në vijën e frontit gjatë viteve 1990, ndërsa sot ai dëshiron të dërgojë në luftë fëmijët e njerëzve të tjerë, për një luftë të humbur më parë”, tha Shutanovac në një deklaratë me shkrim të hënën.

Ky reagim i Shutanovac erdhi pasi presidenti serb, Nikoliq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të dielën, tha se ai ishte i përgatitur që të dërgojë ushtrinë në Kosovë, nëse jeta e serbëve që jetojnë atje rrezikohet. /Insajderi.com