SHUMËSIA E AKTEVE DRAMATIKE NË NJË RRËFIM

Insajderi

Insajderi Faruk Tasholli

07.03.2017 21:52

( Për romanin „Bartësi i shpirtrave të përzënë“ te Adil Ollurit, botuar nga Parnas, Prishtinë 2015)

SHUMËSIA E AKTEVE DRAMATIKE NË NJË RRËFIM

Disa nga ngjarjet e mëdha dhe të rënda në historinë e jetës shqiptare, e sidomos ato në Kosovë, shumë përshkitazi i ka përfshirë letërsia e shkruar, pasi edhe vetë shkrimtarët si pjesë e popullit, nën diktaturë e robëri kombëtare, mbetën pa e pasqyruar atë historinë e rëndë shpirtërore të etnikumit.

Në jetën shqiptare, luftërat e shumta dhe aleancat e fqinjëve me kombe të fuqishme, bën që gjeografia fizike e kombit të rrudhet shumë, ndërsa në fushën shpirtërore të shtohet gjeografia e dhembjes.

Në gati gjashtë shekuj luftëra, qofshin ato frontale apo politike, shqiptarët mezi siguruan ekzistencën kombëtare, madje me shumë krajata, sidomos në shekullin njëzetë. Shumë ngjarje dhe shpirtin e shqiptarit në ato luftëra më shumë i shqiptoi letërsia gojore sesa ajo e shkruar.

E gjithë kjo, rrodhi si pasojë e mungesës së shkrimtarëve kombëtarë në kohët e ngjarjeve përkatëse. Në gjithë këto luftëra dhe trandje të rrethanave politike, shqiptarët u përzunë me forcë, qoftë nga pjesa jugore e Serbisë së sotme  (Pllana, Nishi, Vraja, Prokupja, Leskoci, Bllaca, Krushevci e Kushumlija), qoftë pastaj nga Kosova dhe Maqedonia e sotme perëndimore për në Turqi.

Në gjithë këto përzënie, ofensivat kundër popullatës civile, gjithmonë i ndërmori shteti serb me ushtri dhe polici të organizuar. Edhe në luftën e fundit (1999) me të njëjtat metoda, shteti serb riaktivizoi të njëjtët mekanizma represivë e vrastarë për ta zhbërë Kosovën nga qenia shqiptare dhe si përherë, aplikoi përzënien me dhunë.

Tema e përzënies, me gjithë dimensionet e saj në kohë lufte, shtrihet denjësisht në romanin „Bartësi i shpirtrave të përzënë“ të Shkrimtarit Adil Olluri, i cili ngjarjen e madhe dhe të dhembshme të luftës, e tkurrë në jetën e një familjeje kosovare, përmes së cilës reflektohet fati i kolektivitetit.

Adil Olluri, si rrëfimtar i mirë, është dëshmuar edhe me librin e tregimeve “Shumë rrugë dhe një rënie”, ndërkaq në romanin në fjalë, brenda një teksti të shkurtër, arrin që rrëfimin ta dendësojë si volum, ku domethënia e tij zgjerohet në përmasa të nevojshme kuptimore.

Brenda romanit shtrihet drama e brendshme e kryepersonazhit, Bardhyl Dindarit, i cili në qytetin e pushtuar, është i mbyllur brenda banesës në ndërtesën kolektive, me gruan Valdeten dhe vajzën e tij të vogël Jetën. E gjithë kjo dramë që zhvillohet në këtë familje, shpalohet përmes kundrimit të rrëfimtarit, i cili çdo veprim të kryepersonazhit e përshkruan në veten e dytë të rrëfimit.

Fjala është për një familje të kultivuar që lufta e zë në banesë, ku në atë ngujim, jeta dhe vdekja janë në lidhje binjake në kohën e caktuar. Pafuqia për ta marrë udhën e shpëtimit me ikje, por edhe guximi dhe ajo lidhja shpirtërore për të qëndruar aty, sajojnë një dramë të madhe shpirtërore, sa në njërin, sa në tjetrin personazh. Ky fat dramatik, jo që po e përcillte një familje e një qytet të madh, por një pjesë të madhe të atdheut, që me sakrifica sublime nuk ishte braktisur deri tash nga njerëzit.

E gjithë jeta jashtë banesës, në rrugë, shikohet vetëm nga dritarja, nga e cila vijnë pamje të trishta dhe krisma vrastare. Po pak më larg ku nuk mbërrinin sytë e dritares?Atje po ndodhte tmerri! Dhe përmes këtij tmerri, si të shpëtonte familja e Bardhylit?Si të shpëtonte edhe po të rrinte ashtu e ngujuar, kur nga çasti në çast mund t’ia behnin ushtarë, policë, paraushtarë, banda civile me armë të organizuara nga shteti serb, që në këto momente historie priste të zgjerohej si shumë herë më parë.

Ku e si ta gjente shpëtimin kjo familje?! Dilema dramatike e përmasave të thella: në ikje a në ngujim? Në vdekje kolektive a në ikje kolektive?

E gjithë ngjarja e romanit,derisa më larg zhvillohej lufta e armatosur, në qytet, ka një zhvillim krejt tjetër. Në njërën anë kemi policinë, ushtrinë dhe formacione të ndryshme paraushtarake, ndërsa në anën tjetër popullatën civile, e cila mbetet në rrethim të hekurt.

Në këtë atmosferë të tensionuar, përpos arrestimeve dhe vrasjeve sporadike, plani policor i shtetit serb, i ndodhur nën presion edhe nga sulmet e forcave ndërkombëtare ushtarake, ka për qëllim përzënien me dhunë të popullatës civile.

Pamundësia e lëvizjes, mungesa e informacioneve, ngujimet e tmerrshme shtëpive, ku kishte edhe refugjatë nga zonat e luftës, pllakosin qytetin me panikën e heshtur. I vetmi shpëtim, mbetet stacioni hekurudhor, drejt të cilit zbrazej qyteti nën kontrollin e rreptë të policisë. Zbrazjen sistematike të lagjeve e bën policia me ndihmën e grupeve civile serbe, nën komandën e saj.

Në qendër të romanit, si mjet transporti dhe si shpresë shpëtimi, mbetet treni i vjetër, që po merrte popullatën me vete, ku stacioni, i shndërruar në kamp deportimi, rëndon nga vajet e heshtura. Pjesë e këtij kampi do të bëhej edhe Bardhyli me familje, i cili me gjithë hezitimet, pranon ndihmën e fqinjit të tij të parë serb për ta shpëtuar familjen, duke kaluar me veturën e tij rrugës së qytetit të pushtuar.

Aktet dramatike në sytë e kryepersonazhit janë gjithnjë e më të tmerrshme. Braktisja e librave, braktisja e banesës ku kishte ndërtuar jetën dhe ngritur familjen, është jo më pak se një vdekje.

Por tash edhe braktisja e atdheut në një situatë kaotike, ku zien turma me gjithë të papriturat, ku trishtimi bie mbi intelektualët dhe injorantët, mbi të moshuarit dhe fëmijët, mbi të shëndetshmit dhe të sëmurët, mbi gratë shtatzëna që disa i kishin orët e fundit të lindjes dhe mbi ata që frymën e fundit të jetës po e numëronin me minuta, rëndojnë, vrasin ndërgjegjen e Bardhylit, i cili si një dëshmitar i ngjarjes, nuk mund të bëjë gjë pos ta vëzhgojë dhe ta regjistrojë në kujtesë atë.

Udha është e vështirë, momentet e rënda dhe si turma e madhe në stacion, turma miniaturale në vagon të trenit, pasqyron gjithë peshën kolektive në ato momente. Pra, kemi një akt tjetër të dramës jetësore. Të gjitha shtresat që i ka qyteti, janë në një vagon, ku realiteti, bën që si në balada, të udhëtojë i gjalli me të vdekurin, dhe të dëgjohet edhe vaji i parë i fëmijës së sapoardhur në jetë.

Por, drama e dëbimit vazhdon. Çdo akt i ri bën që të mos kujtohet akti paraprak. Në ndërgjegjen e Bardhylit, ngjashëm si në atë të bashkudhëtarëve të tij, takohen realja dhe irealja, ose ato i lëshojnë vend njëra tjetrës.

Pas kalimit nga kufiri i shtrirjes së luftës në hapësirën e lirisë fizike, prapë kampi tjetër i shpëtimit, jo më i lehtë se pesha në stacionin e trenit,jo më i lehtë se udhëtimi në vagon,por tash me një dimension të ri të vuajtjes.

Fundi i udhës, apo fillimi i udhës së shpëtimit?! Turma e shpirtrave të përzënë ka shpresë qiellin e atdheut, prej nga armikut, më në fund po i vinin bombat e aleatëve, si rrallë në historinë e shqiptarëve. Dhe një fund i gëzuar do ta mbyll kapitullin e tragjedisë së pritshme. Udhës së përzënies, po ktheheshin shpirtrat e dërrmuar, ndërsa ikja e pushtuesve, bie erën e lirisë.

Në këtë mënyrë, Adil Olluri zhvillon shtrirjen e rrëfimit, që dëshminë historike, ta bart përmes një ndërtimi besnik letrar. Romani “Bartësi i shpirtrave të përzënë“ mbërthen në vete një kujtesë historike, me gjithë epizmin te veçantë, ku ngjarja e madhe rrudhet në pak personazhe, por esenca e tërësisë së saj shpaloset me të gjitha përmasat.

Ky roman është një dëshmi e robërisë, e luftës për liri, e vuajtjes së gjatë dhe mbi të gjitha, pasqyrë e tragjedive të kombit, si një refren nga antikiteti e këndej. Letrarizimi i dëshmisë historike të luftës, i nisur me një fillim të mbarë nga Adil Olluri, shënon një etapë të re në letërsinë shqipe dhe lë për të shpresuar se do të dalin edhe vepra të reja që e pasurojnë kujtesën nga një kohë e rëndë, siç është koha e luftës.

Mjeshtëria e rrëfimit, sublimimi i ngjarjeve, fiksimi i realitetit, ndërtimi i fjalisë, gati-gati si varg poetik, dhe prania e dialogut gjithmonë të shkurtër dhe domethënës mes personazheve, romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, jo vetëm për shkak të trajtimit të ngjarjes, por edhe të pasqyrimit artistik të saj si fiksion letrar, e bëjnë ndër veprat që e rikthejnë vëmendjen e lexuesit dhe të studiuesit të mundshëm.