Shukri Buja: Koalicioni me AAK-në e Nismën ishte gabim

Shukri Buja: Koalicioni me AAK-në e Nismën ishte gabim

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Shukri Buja ka thënë se koalicioni me AAK-në dhe Nisman ishte gabim. Ai ka thënë se votuesi i PDK-së nuk e pranoj Haradinajn për Kryeministër dhe as emrat e rinj për deputetë të kësaj partie.

“Një pjesë e elektoratit ka qenë e zhgënjyer për Ramush Haradinajn Kryeministër dhe nuk kanë dalë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Ish-Kryetari i Lipjanit thotë se faktori tjetër që ndikoi në rënien PDK-së ishte edhe koalicioni me Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin të cilët kishin drejtuar akuzat më të rënda ndaj PDK-së.

“Realisht, jemi bërë bashkë me njerëzit që jemi sha deri në momentin e fundit. Faktori tjetër, anëtarësia e PDK-së s’ka mundur ta pranojnë Ramush Haradinajn Kryeministër. Pastaj një pjesë e kandidatëve nuk ishin në lista për shkak të kufizimeve”, ka thënë ai për Gazeten Express.

Në zgjedhjet e fundit, PDK bashkë me AAK-në e NISMA-n dhe 11 parti tjera kanë fituar 39 mandate në Parlament.

Buja paralajmëron rezultatet të këqija për PDK-në edhe në zgjedhjet lokale nëse nuk ndodhin reforma rrënjësore madje ai thotë se s’ka interes as të rikandidojë për Kryetar të Lipjanit.

“Nuk jam i interesuar për kandiduar për Kryetar të Lipjanit”, ka shtuar ai.