BE shuan shpresat e AAK-së për ndikim në lirimin e Haradinajt

BE shuan shpresat e AAK-së për ndikim në lirimin e Haradinajt

Në mesin e takimeve që Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini zhvilloi të shtunën në Prishtinë, ajo pranoi një kërkesë të veçantë nga nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kërkoi Mogherinit që të ndikojë në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Mirëpo, përgjigja e Mogherinit ishte negative.

“Është e qartë se kjo çështje i takon drejtësisë franceze dhe ajo si zyrtare e lartë e BE-së nuk ka të drejtë të përzihet në sistemin e drejtësisë franceze por ajo tha se është një çështje që preokupohen të gjithë”, ishte përgjigja e Mogherinit kur është pyetur për Ramush Haradinajn, ka thënë Gjini.

Ndërsa, sipas deputetit tjetër të AAK-së, Pal Lekaj, vetë protesta e organizuar sot për të kundërshtuar mbajtjen e Haradinajt në Francë, është mesazh dërguar BE-së.

“Vetë protesta ka një mesazh për Mogherinin që zoti Haradinaj, është pengi politikës shoviniste serve dhe shtetet e BE-së. Haradinaj nuk duhet të bie pre e abuzimeve të Serbisë me listat e Interpolit dhe që qytetarët e Kosovës, luftëtarët e lirisë të trajtohen padrejtësisht e në veçanti Ramushi që tani po mbahet peng mbi 2 muaj në Francë”, ka thënë Lekaj për Insajderin.

Kërkesë për lirimin e Haradinajt nuk kishin përfaqësuesit e partive të tjera politike të Kosovës, në takimet që zhvilluan me Mogherinin. Madje, zyrtarët e lartë të shtetit – përfshirë kryeministrin Mustafa – nuk e përmendën fare rastin Haradinaj në takimet me Mogherinin.

Haradinaj është ndalur me 4 janar të këtij viti në Francë, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Seanca e radhës për Haradinaj, do të mbahet më 6 prill të këtij viti në Gjykatën e Colmarit. /Insajderi.com