Shtyhet hapja e urës mbi lumin Ibër për shkak të tensioneve të fundit

Shtyhet hapja e urës mbi lumin Ibër për shkak të tensioneve të fundit

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se zhvillimet e fundit negative në Kosovë të nxitura nga Serbia kanë ndikuar në shtyrjen e hapjes së urës së Ibrit.

“Zhvillimet negative të kohëve të fundit të nxitura nga Serbia në Kosovë kanë pasur për pasojë ndikimet në vonesat e zbatimit të marrëveshjeve, në veçanti të hapjes së urës së Ibrit e cila pas revitalizimit që është bërë është dashur të hapet sot më 20 janar 2017”, thuhet në komunikatën e dërguar nga ministrja për Dialog.

Ndër tjerash në komunikatë thuhet se “Bashkimi Evropian si ndërmjetëse e procesit të dialogut është duke bërë përpjekjet maksimale për të larguar tensionet dhe për t’i hapë rrugë vazhdimit të zbatimit të marrëveshjeve dhe për këto përpjekje opinioni publik do të njoftohet në vazhdimësi”.

“Këto destruksione të Serbisë përfshijnë: rastin e trenit ilegal, i cili u ndalua nga shteti i Kosovës, më herët kemi pasur provokimin me murin ilegal i cili do të hiqet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Rezolutës së Kuvendit të Kosovës. Ishte poashtu sulmi me bomba kundër shtrirjes së institucioneve të shtetit të Kosovës në komunat veriore, me rastin e inaugurimit të tyre nga Ministria e Dialogut më 28 dhjetor 2016, si dhe fletarrestet ndaj luftëtarëve të UÇK-së, më këtë rast të z. Ramush Haradinaj”, thuhet në komunikatë.

Çështja për normalizimin në mes të dy vendeve duket mjaft e vështirë pas tensioneve që ka ngritur Beogradi, me provokimin e trenit, arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ngritjen e murit në urën e Ibrit.

Lidhur me ngritjen e murit e murit në veri të vendit, është miratuar edhe një rezolutë në Kuvendin e Kosovës me 29 dhjetor, që ai mur ilegal të rrënohet brenda muajit janar./Insajderi.com