Shteti ua ndalon të dhurojnë gjak personave që bëjnë seks me gjini të njejtë

Shteti ua ndalon të dhurojnë gjak personave që bëjnë seks me gjini të njejtë

Personat që bëjnë seks me gjininë e njëjtë, e kanë të ndaluar në Kosovë të dhurojnë gjak. Kjo është e shkruar decidivisht në formularin e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Në këtë formular, në pjesën e fundit të tij, është pjesa ku shkruhet se “ju nuk duhet të dhuroni gjak asnjëherë nëse ju ose partneri juaj jeni HIV pozitiv, keni virusin Hepatiti B ose C, keni mardhanje intime me personin e gjinisë së njejtë apo mendoni se keni nevojë që ti bëni testet për zbulimin e shkaktarëve të sëmundjeve transmitit (anti HIV, anti-HCV, HbsAg etj).

Kjo ndalesë ka shkaktuar zemërim tek aktivistët e komunitetit LGBTIQ+. Lendi Mustafa nga organizata CEL ka qenë vetë i pranishëm në një rast kur në stendat për dhurim të gjakut që janë vendosur në Prishtinë në kuadër të javës sensibilizuese të dhurimit të gjakutqë po mbahet edhe në disa  qytete të tjera.

Vet Lendi që ka filluar procedurën e ndërrimit të gjinisë nuk ka mundur të dhuroj gjak për shkak se “është ne terapi hormonale” por është krejtësisht e pakuptueshme dhe skandaloze që t’u ndalohet personave që bëjnë seks me gjini të njejtë të dhurojnë gjak.

Madje për Mustafën kjo është edhe një “tradhëti” që shteti ua ka bërë këtij komuniteti pasi sipas tij, ata janë marrë vesh që kjo të hiqet nga formulari.

“Në formularin që u dasht me e plotësu para se me dhuru gjak, e pash të theksuar që personat që bëjnë seks me gjini të njejtë nuk mund të dhurojnë gjak, gjë që ishte mjaft çudi sepse me dijeninë time, në një takim është diskutuar që të kjo të hiqet nga formulari”, ka thënë Lendi Mustafa për Insajderin.

Sipas tij, ndalimi i dhurimit të gjakut për pesonat gay është absurd. Ai ka numëruar vetëm dy arsye se përse kjo ndalesë vazhdon ende.

“Kosovarët ende mendojnë se të qenurit gej është sëmundje edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka larguar nga lista e sëmundjeve që nga viti 1973, dhe e dyta, ende mendohet se të gjithë personat që bëjnë seks me gjini të njejtë janë të gjithë të infektuar gjë që është krejt gabim”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, kjo qasje e shtetit është budallallëk i madh.

“Kjo qasje me plot kuptimin e fjalës është budallallëku më i madh që kam dëgjuar ndonjëherë. Në asnjë mënyrë nuk është funksionale, sepse personat gej mund të japin gjak edhe duke mos e treguar se a janë gej apo jo. Madje i drejtohem komunitetit LGBTI+ që të dhurojnë gjak pa treguar për orientimin e tyre seksual”, ka thënë Mustafa.

Krejt kjo për një arsye.

“Nëse në formular është cekur që personat që kanë ndonjë infeksion seksualisht të trasnmetueshëm, ose nëse kanë dyshime që janë infektuar, atëherë nuk është e nevojshme që të ceken ndamas personat gej”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu ka theksuar se shpreson që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë për ndryshimin dhe korigjimin e formularit.

“Shpresoj që do të ketë përmirësime në formular nga ana e institucioneve përgjegjëse sepse ky formular shpërndan dezinformatë, paragjykim dhe përgjithëson një komunitet të madh”, ka thënë Mustafa. /Insajderi.com