Shteti që po propozon që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE

Shteti që po propozon që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Çaputoviç, tha sot në Beograd se për Serbinë dhe për Kosovën do të ishte më së miri që “të dyja shtetet të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”, meqë kështu më së lehti do t’i zgjidhnin problemet e ndërsjella.

Ai u shpreh kështu gjatë një konference për media, pas takimit me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, raporton FoNet.

Ai me këtë rast ai ka bërë thirrje që të bisedojnë dhe të diskutojnë për zgjidhjen e problemeve midis Serbisë e Kosovës, madje jo vetëm të bisedojnë Beogradi e Prishtina, por edhe shtete të tjera që mund të ndihmojnë.

Kjo agjenci lajmesh e Beogradit citon ministrin serb të jashtëm Daçiq të ketë thënë se BE-ja nuk do të duhej që Serbisë t’i krijojë probleme shtesë në rrugën e saj të aderimit dhe këtë udhëtim ta “ngarkojë me Kosovën”, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se Serbia dëshiron zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por me kompromis. Po ashtu ka rikujtuar se Polonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të, e po ashtu edhe me rastin e votimit të Kosovës për pranim në UNESCO ajo ka abstenuar.