Shteti në shërbim të Manes – ia ndërtoi rrugën për fshatin e tij turistik

Shteti në shërbim të Manes – ia ndërtoi rrugën për fshatin e tij turistik

Një rrugë turistike në Vlorë ishte ndërtuar me qëllim e vetëm që oligarkut Samir Mane të ju mundësohej shkuarja në fshatin e tij turistik. Oligarku Mane i cili është një nga njerëzit më me ndikim në Shqipëri ka “kapur” edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama vetëm që t’i jap leje në ndërtimin e resorteve dhe kullave të cilat atij i sjellin fitim financiar.

Rruga e Palasës në bregdetin e bukur turistik të Jugut në Shqipëri që kishte nisur në vitin 2015 për të lidhur këtë zonë me zonat e tjera turistike, tashmë nuk ekziston më, ndonëse ishte përfunduar.

Pavarësisht se kush ka firmosur për këtë rrugë, në fund të herës ka qenë kryeministri Edi Rama ai që ka dhënë vulën përfundimtare për të. Qëllimi në letër për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë lehtësimi i turizmit dhe në këtë zonë të Jugut, për të thithur sa më shumë turistë gjatë sezonit të verës.

Por në të vërtetë, qëllimi final ishte shërbimi ndaj Samir Manes që ka ‘futur’ duart edhe në rrugën e Palasë dhe po ndërton në bregdet një fshat turistik.

Pasi oligarku shqiptar, ka kapur tashmë përfundimisht kryeministrin Edi Rama dhe i ka marrë firmën e po merr leje për koncensione, resorte turistike, ndërtim kullash dhe gjithçka që lëviz dhe bën lekë në këtë vend.

Më konkretisht, Firma “Gjikuria” kontraktore dhe nënkontraktore e rrugës dhe resortit të Samir Manes fiton tenderin për të bërë rrugën e Palasës.

Fondi për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë miliona euro dhe ishin përcaktuar piketat konkrete për ndërtimin e kësaj arterie rrugore që lehtësonte turizmin në këtë zonë.

Por firma kontraktore nuk zbatoi projektin e kontraktuesit që e kishte marrë për të bërë këtë rrugë, duke devijuar afër plazhit për të pasur sa më afër resortin turistik të Samir Manes, pasi punonte njëherësh në të dy objektet e punës: Rrugë dhe resort turistik.

Në këtë devijim duke kaluar afër plazhit firma “Gjikuria” cënon pronat e banorëve të zonës të cilët hapën menjëqherë një proces gjyqësor më 2015, pavarësisht se firma vijonte të ndërtonte rrugën dhe e përfundoi.

Por në vitin 2018 gjykata e Apelit Vlorë nxori urdhrin e ekzekutimit për prishjen e rrugës, me argumentin se ka devijuar nga projekti për të cilin kishte fituar tenderin sipas përcaktimit të kontratorit dhe kishte prekur pronën e banorëve.

Ekzekutimi i vendimit të Apelit Vlorë u krye nga Përmbarimi Shtetëror më 25 maj 2018.

Ky është një dëm prej miliona eurosh që i shkaktohet shtetit shqiptar nga prishja e rrugës për shkak të shkeljes së kontratës nga firma ndërtuese vetëm e vetëm që, Samir Mane i cili ka kapur kryeministrin Edi Rama, të kishte një rrugë sa më të shkurtër dhe që kalonte nga plazhi për të vajtur tek resorti i tij turistik.

Por nuk ndalet këtu shkelja e ligjit, pasi oligarkia që ka kapur qeverinë shkoi dhe më tej në marrëzinë e tij dhe në shkatërrimin e turizmit në jug të vendit.

Vetëm tre ditë pas prishjes së rrugës së Palasës sipas vendimit të Apelit Vlorë, pikërisht që nga dita e hënë kamionë të firmës që ndërtonte rrugën por dhe resortin turistik të Samir Manes kanë marrë inertet tek rruga e prishur por dhe në vende të tjera dhe i kanë hedhur nga pjesa e poshtme e rrugës në drejtim të plazhit.

Madje dhe në plazh, në det fare me inertet e hedhura me kamionë të mëdhenj kanë shtruar një rrugë provizore me qëllim që të kalojnë kamionët e ngarkuar për në drejtim të resortit turistik, pasi firma “Gjikuria” është dhe firmë nënkontraktore për ndërtimin e resortit.

Pra shkatërrohet tërë bregdeti në këtë zonë, duke shkatërruar njëherësh dhe turizmin pikërisht në momentin kur ndonëse nuk është shpallur zyrtarisht, sezoni turistik ka filluar realisht dhe ka një zhvendosje të madhe të pushuesve në fundjavë drejt bregdetit.

Mane së fundi dyshohet të jetë edhe një nga drejtorët e kompanisë britanike, “NKL Limited”, e cila ka blerë zyrtarisht gjigantin metalurgjik, “Feronikel”, në Kosovë ku dora e zgjatur e tij pritet të zgjerohet edhe më shumë në Kosovë. /Insajderi.com