Shteti Islamik humb dy qytete kryesore në të dyja anët e kufirit Irak–Siri

Shteti Islamik humb dy qytete kryesore në të dyja anët e kufirit Irak–Siri

Dje Shteti Islamik u dëbua nga dy qytet e fundit kryesore që kishte zaptuar përgjatë kufirit Irak – Siri. Ofensiva e forcave të sigurisë u zhvillua në dy anët e kufirit përgjatë Luginës së Eufratit.

Është tronditur tashmë nga themelet kalifati i vetëshpallur i Shtetit Islamik pas humbjes së zonave urbane në Siri dhe Irak. Ofensiva ushtarake u zhvillua njëkohësisht nga qyteti Deir Ezzor i Sirisë dhe nga qyteti Al-Kaim i Irakut, duke lënë kështu në kontrollin e Shtetit Islamik vetëm pjesëza të vogla territori, të shpendara përgjatë kufirit.

Ushtria siriane njoftoi se në Deir Ezzor, ISIS humbi “shtabin udhëheqës rajonal”, si dhe “kapacitetin për të drejtuar operacione terroriste”.

Forcat siriane filluan sulmin në Deir Ezzor në muajin shtator, pasi qyteti kishte qenë nën kontrollin e ISIS-it për gati tre vjet. Njësitë e inxhinierëve të ushtrisë siriane po kontrollojnë tashmë për mina dhe eksplozivë të tjerë të lënë pas nga xhihadistët e arratisur.

Në anën irakiane të kufirit, forcat e sigurisë morën nën kontroll qytetin Al-Kaim vetëm pak orë pasi kishin kapur një pikë kalimi kufitar pranë tij. Kryeministri irakian përgëzoi trupat për përpjekjet e tyre për marrjen e qytetit Al-Kaim, në një “kohë rekord”, siç e quajti ai.