Shtëpitë e ndërtuara nga printeri 3D

Shtëpitë e ndërtuara nga printeri 3D

Popullsia e botës pritet të arrijë në mbi 8 miliardë deri në vitin 2030 dhe çështja e strehimit në qendrat urbane është që tani një problem madhor. Ndërtimi i shtëpive sipas mënyrës tradicionale kërkon ende javë ose muaj të tërë.

Në një lagje të Londrës, një grup vullnetarësh po ndërton shtëpitë e quajtura Wiki House, të përbëra nga panele kompensate dhe pjesë të prodhuara paraprakisht. Të gjitha pjesët janë prodhuar nëpërmjet një kompjuteri dhe bazuar në një planimetri të disponueshme falas në internet.

Bashkëthemeluesi i Fondacionit WikiHouse me qendër në Britani, arkitekti Alastair Parvin, thotë se kjo mund të jetë zgjidhja për strehimin.

“WikiHouse përmbledh një sërë teknologjish që synojnë të thjeshtojnë procesin e ndërtimit të shtëpive, sa që gjithkush mund ta bëjë vetë. Për ta arritur këtë, po përdorim fuqinë e internetit dhe të teknologjive të prodhimit digjital si printimi 3D.”

Prerja precize mundëson përputhshmëri perfekte të të gjitha pjesëve, gjë që përshpejton procesin e montimit. Nuk nevojiten vegla të posaçme.

Wiki House u ndërtua në 10 ditë për qëllime demonstrimi. Më pas, u çmontua dhe i rindërtua diku tjetër për t’u përdorur plotësisht.

Zoti Parvin thotë se i gjithë koncepti është i bazuar në planimetri të disponueshme në internet.

“Programe kompjuterike falas janë tashmë të disponueshme dhe përbëjnë bazën e programeve që përdorim ne. Ajo që po ndodh është se tani kjo po përkthehet në sende të prekshme; pra, ne po ndërtojmë një lloj enciklopedie Ëikipedia të sendeve.”

Zoti Parvin thotë se projekti është në fazën e tij fillestare, me disponueshmëri ende të kufizuar. Megjithatë, ai mendon se projekti do të rritet ndërkohë që më shumë njerëz do të jenë të interesuar për ndërtim shtëpish, montimi i të cilave nuk kërkon aftësi të veçanta.