Shtatë kosovarët e Skënderbeut që shkojnë në Beograd për “hakmarrje”

Shtatë kosovarët e Skënderbeut që shkojnë në Beograd për “hakmarrje”

Sprova e parë u kalua në takimin e luajtur në “Elbasan Arena”, ku presioni psikologjik ishte më i madh. Duke qenë se Skënderbeu ka në përbërje shtatë lojtarë kosovarë, që janë pjesë shumë e rëndësishme në skuadër, natyrisht që përballja me një skuadër serbe përjetohet ndryshe.

Emocionet dhe ndjenjat e “hakmarrjes” sportive ndaj një kundërshtari serb, janë të mëdha, duke filluar nga lojtarë si Bajram Jashanica dhe Fidan Aliti, që luajnë në mbrojtje. E njëjta gjë edhe për Enis Gavazajn, Suad Sahitin, Donjet Shkodrën, Leonit Abazin dhe Shend Kelmendin, që plotësojnë shtatëshen e futbollistëve kosovarë.

Titullarë të padiskutueshëm deri më tani kanë qenë Jashanica e Gavazaj, që edhe nesër do ta nisin takimin nga minuta e parë. Një fitore në Beograd do të kishte vlera të shumëfishta morale.

Për këtë, më shumë se çdo ndeshje tjetër, kosovarët e Skënderbeut do të japin maksimumin për të çuar ekipin e tyre drejt suksesit historik.

Nga shtatë lojtarët, Shkodra, Sahiti dhe Aliti do të jenë në stol, teksa edhe për ta emocionet do të jenë të forta. Ndërsa për Kelmendin dhe Abazain, që do të shohin si tifozë këtë takim, do të duhet të luten që shokët e tyre të bëjnë më të mirën.

Nesër nuk është thjesht një ndeshje e zakonshme, por mbi të gjitha edhe për të treguar se një skuadër e kampionatit shqiptar është e denjë për të mundur një klub të famshëm serb, duke përsëritur suksesin e Flamurtarit 30 vite më parë. Jashanica dhe Gavazaj janë të bindur se do të marrin pikë në Beograd, në një kohë që një gol i shënuar do të ishte një bonus i madh për ta./Panoramasport.