Shqiptari i parë që rikthehet në “Stadiumin e Dronit”

Është Besnik Hasi, trajneri shqiptar nga Gjakova, i cili do të shkelë sonte në mbrëmje në "Stadiumin e Tmerrit"; aty ku tre vite më parë, më 8 tetor të 2014-s, futbollistët e kombëtares shqiptare u sulmuan nga tifozët serbë që kishin pushtuar fushën e blertë.

Shqiptari i parë që rikthehet në “Stadiumin e Dronit”

Afër tre vite pasi një ndeshje futbolli mes Serbisë dhe Shqipërisë u shndërrua në një “arenë luftimi” në stadiumin “Maracana” të Beogradit, një shqiptar rikthehet për herë të parë në atë ambient ku u shfaq një dron me simbole kombëtare shqiptare.

Është Besnik Hasi, trajneri shqiptar nga Gjakova, i cili do të shkelë sonte në mbrëmje në “Stadiumin e Tmerrit”; aty ku tre vite më parë, më 8 tetor të 2014-s, futbollistët e kombëtares shqiptare u sulmuan nga tifozët serbë që kishin pushtuar fushën e blertë.

Hasi, i cili ka marrë drejtimin e skuadrës greke Olympiacos, do të ballafaqohet me Partizanin e Beogradit në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, raporton Insajderi.

Me të mbërritur në Beograd, të hënën, kur edhe doli para gazetarëve në një konferencë shtypi, Hasi u pyet për një deklaratë të bërë nga vet ai një javë më parë. “Unë vij nga Kosova e Shqipërisë”, kishte deklaruar Hasi për mediet greke. E kur u pyet për këtë deklaratë në Beograd, ai preferoi të përgjigjej si një diplomat.

“Ne kemi ardhur për të folur vetëm për futboll, dhe këto gjëra duhet të zgjidhen nga ata që paguhen për këto gjëra”, ka thënë Hasi, duke mos dashur të komentonte deklaratën e tij, pavarësisht insistimit të gazetarëve serbë.

Gjithashtu, gazetarët ishin të interesuar për marrëdhëniet e Hasit me futbollistët serbë të Olympiacosit, dhe Hasi u përgjigj se ai ka një bashkëpunim normal me të gjithë.

“Unë kam një ekip italianësh, grekësh dhe serbësh, ndoshta kjo ndihmon edukimin tim sepse kam kaluar shumë vende dhe kam hasur kultura dhe gjuhë të ndryshme dhe çdo lojtar i mirë është një lojtar i mirë”, tha trajneri shqiptar i Olympiacos.

Ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Cercle Brugge dhe kombëtares së Shqipërisë ka thënë se synon të marrë rezultat pozitiv me Olympiacosin në Beograd. /Insajderi.com