Shqiptarët që u dolën në ndihmë të prekurve nga vërshimet në Houston

30.08.2017 10:43
Shqiptarët që u dolën në ndihmë të prekurve nga vërshimet në Houston

Amerika është në gjendje të jashtëzakonshme qe disa ditë për shkak të vërshimeve, por në gjendje gatishmërie janë edhe dy shqiptarë nga Kosova për t’u dalë në ndihmë amerikanëve.

Gazeta Metro ka arritur të kontaktojë me dy shqiptarët që jetojnë në San Leon të Houstonit, të cilët kanë treguar se kanë dalur me anijet e tyre nëpër rrugë për të shpëtuar të prekurit.

Gëzim Halili dhe Ruzhdi Halili janë dy djem që barrën e rrezikut e kanë hedhur tutje dhe e kanë marr timonin e anijeve. Rrugës u kanë dalë në ndihmë njerëzve, e më pas u kanë ndihmuar në ushqime me kamionë nëpër qendrat ku janë të vendosur përkohësisht të evakuuarit.

‘Po, unë e Ruzhdia po dalum me anije tona me i ndihmu njerëzve. Kamionat po i përdorim për me i ndihmu me çu sene për njerëzit që janë atje ku po i mbajnë’, ka treguar Gëzimi nga Houstoni për Metron.

Ai tregon se vetë jeton në San Leon ku nuk është edhe aq rrezik, por që me dëshirë ka dalur nëpër rrugët e Houstonit për të ndihmuar.

E ndihma për amerikanët e prekur ka ardhur nga të gjithë drejtimet. Janë dhënë miliona euro donacione për të prekurit. Madje dje Kim Kardashian ka dhuruar hiç më pak se 500 mijë euro donacion për ta.

Ndërkaq, janë edhe shumë familje shqiptare që janë prekur nga këto vërshime. Para pak orësh për gjendjen e shqiptarëve në atë pjesë të Amerikës foli edhe ambasadorja kosovare atje, Vlora Çitaku, e cila konfirmoi se ka shumë nga ta.

Ndryshe, Amerika po përballet me shira të mëdha që nga java e kaluar, gjë që ka bërë që gjithçka të dalë jashtë kontrollit. Siç raportohet, shirat po vazhdojnë, ndërkohë që kjo është sasia më e madhe e reshjeve në 12 vitet e fundit.