Shqiptarët kanë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit rreth 6.8 miliardë euro

Shqiptarët kanë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit rreth 6.8 miliardë euro

Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri arritën në afro 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin e kaluar. Sipas llogaritjeve të Instat, mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, turizmi ka dhënë kontributin më të lartë historik në ekonominë shqiptare vitin e kaluar.

Shpenzimet e turistëve ndaj Prodhimit Kombëtar janë rritur me 4.5 pikë përqindje në harkun e pesë viteve të fundit. Ndërkohë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit janë më të luhatshme. Ndërsa kulmuan në 14% të PBB-së për vitin 2014, në tre vitet e fundit ato janë luhatur me 10% dhe 11%.

 

 

Instat llogarit se shqiptarët kanë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit rreth 855 miliardë lekë gjatë pesë viteve të fundit, që të llogaritur me kursin e sotëm, janë rreth 6.8 miliardë euro.

Kontributi neto i turizmit në rritjen ekonomike të Shqipërisë, i matur si diferencë mes shpenzimeve hyrëse dhe atyre dalëse, arriti në 3.9% vitin e kaluar, duke u rritur për të katërtin vit radhazi, shkruan “scan”.

Shifrat tregojnë qartë se turizmi është një sektor në rritje brenda ekonomisë shqiptare, ndërsa qeveria shqiptare po përpiqet të nxisë ngritjen e strukturave akomoduese elitare, përmes incentivave fiskale.

Sipas Instat, deri në fund të vitit 2016 Shqipëria kishte 1242 struktura akomoduese gjithsej, për një kapacitet total prej rreth 18 mijë dhomash dhe rreth 41 mijë shtretër.