Shqipëria zhvillon seancën e fundit para nisjes në Itali

23.03.2017 13:56
Shqipëria zhvillon seancën e fundit para nisjes në Itali

Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Shqipëri përpara nisjes për në Palermo, ku do të luajë sfidën e rëndësishme ndaj Italisë për eliminatoret e Botërorit 2018.

Në këtë seancë, skuadra dhe trajneri De Biasi u fokusuan më shumë në aspektin taktik. Mësohet se trajneri italian do të aplikojë për këtë ndeshje skemën 5-4-1, gjë që e bën për herë të parë. Kështu, në portë, ashtu siç u mendua, do të jetë Strakosha. Në mbrojtje, Hysaj do të luajë në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë do të jetë Agolli. Në qendër të mbrojtjes, Ajeti dhe Veseli duket se do të kenë edhe mbështetjen e Kukelit, i cili edhe në Evropianin e Francës tregoi se është i aftë që të luajë edhe në prapavijë.

Në mesfushë, Basha dhe Memushaj do të jenë së bashku me Lilën në të djathtë dhe Roshin në të majtë, ndërkohë që si sulmues i vetëm mendohet të jetë Sokol Cikalleshi, i cili këtë radhë preferohet kundrejt Armando Sadikut.