Shqipëria me sy kah rezultatet e sotme dhe të nesërme

Shqipëria me sy kah rezultatet e sotme dhe të nesërme

Shqipëria nuk ka marrë asnjë “dhuratë” nga ndeshjet e mbrëmshme, të tretat në Grupin B. Anglia, nga e cila prisnim një fitore 3-0 ndaj Sllovakisë, që të na bënte punë, jo vetëm s’i ka prekur këto “caqe”, por nuk ka fituar dot, duke u detyruar të renditet e dyta, mbas Uellsit.

Tashmë, Shqipëria do të presë edhe rezultatet e ndeshjeve në dy ditët e ardhshme, për të parë nëse do të jetë njëra nga tri skuadrat e tjera (Sllovakia është konfirmuar e tillë, me 4 pikë, në Grupin B), të renditura në vendin e tretë, që vijojnë garën në “Euro 2016”.

Kombëtarja jonë renditet e treta në Grupin A, por pret me ankth renditjet e Grupeve C, D, E dhe F.

Çfarë presim nga GRUPI C

Gjermania me 4 pikë luan ndeshjen e fundit me Irlandën e Veriut, që ka 3 pikë. Do të duhet të paktën një fitore 4-­0 e gjermanëve, që Irlanda të ketë golaverazh më të keq se Shqipëria dhe të eliminohet. Diçka e vështirë të ndodhë, për faktin se, deri më tani, skuadrat kanë fituar me pak gola, 4 të tillë në një ndeshje nuk janë realizuar ende në këtë Europian. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi duhet një fitore, ose të paktën barazim i Polonisë, aktualisht me 4 pikë, ndaj Ukrainës, që s’ka asnjë pikë.

Çfarë presim nga GRUPI D

Spanja luan ndeshjen e fundit me Kroacinë dhe dy skuadrat kanë respektivisht: njëra 6 dhe tjetra 4 pikë. Sido që të përfundojë ky duel, nuk ka ndikim për Shqipërinë. Me interes është ndeshja tjetër mes Republikës Çeke, që ka 1 pikë, dhe Turqisë, me 0 pikë. Për kuqezinjtë do te nevojitej një barazim i tyre, në rastin më fatlum, ose një fitore 1-0 e Turqisë, në rastin më të keq.

Çfarë presim nga GRUPI E

Italia me 6 pikë luan me Irlandën e vendit të fundit. Pra, një fitore e axurrëve, ose një barazim i tyre, do t’i bënte punë Shqipërisë. Kjo, për shkak se Irlanda ka vetëm një pikë. Me interes është edhe ndeshja mes Belgjikës, me 3 pikë, dhe Suedisë, me 1 pikë. Për Shqipërinë do të duhej një fitore e belgëve, ose një barazim, shkruan telesport.

Çfarë presim nga GRUPI F

Hungaria, që ka 4 pikë, do të përballet me Portugalinë, me 2 pikë aktualisht. Rezultati më i mirë për kuqezinjtë do të ishte fitorja e hungarezëve. Ndërsa në ndeshjen tjetër, fitorja e Islandës, ose e Austrisë, nuk do të ndikonte fare në kualifikimin e Shqipërisë.