Shqipëria si Turkmenistani – rrezikon të mbetet pa Akademi të Shkencave

Shqipëria si Turkmenistani – rrezikon të mbetet pa Akademi të Shkencave

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se do t’i heqë buxhetin Akademisë Shkencave, pas zgjedhjeve për kryetarin e ri, proces të cilin ai e quajti një farsë. Por që kjo të ndodh fillimisht duhet të anulohet ligji për Akademinë e Shkencave.

Nëse parlamenti voton pro, atëherë, sipas Gudar Beqiraj, kryetarit të zgjedhur për herë të dytë në këtë detyrë, Shqipëria do të jetë vendi i parë pa institucionin më të rëndësishëm shkencor kombëtar.

“Vetëm një ka bërë vaki në historinë e gjithë njerëzimit. Turkmenistani, vite përpara, ai që ishte në krye të shtetit, mbylli Akademinë, mbylli ca institucione të tjera të kulturës”, shprehet ai.

Për të mos mbërritur deri në zhbërjen e këtij institucioni, akademiku Beqir Meta thotë për Tv Klan se reforma duhet të nisë që te procesi i zgjedhjes së drejtuesve. Në qendër të debatit ishte rokada disa-vjeçare që ndodh mes kryetarit dhe nënkryetarit.

“Që mos kemi po të njëjtët persona që po konkurrojnë, ligji me një pikë të vogël mund të rregullohet që kryetari i Akademisë të zgjidhet vetëm njëherë”.

Për sa i takon reformës së papërfunduar të nisur 3 vite e gjysmë më parë, kryetari i ri ka këtë propozim.

“Reformën e bën qeveria, pra kjo pyetje i duhet bërë qeverisë”.

Varianti të cilin Beqiraj mbështet është rikthimi i instituteve të kërkimeve shkencore nën çatinë e Akademisë së Shkencave. Meta e kundërshton.

“Modeli më i mirë i provuar është të kemi institute brenda Akademisë së Shkencave”, thotë Beqiraj.

“Fuqizojmë asamblenë”, shprehet Beqir Meta.

Akademisë së Shkencave i janë akorduar 120 milionë lekë të reja ne buxhetin e fundit. Fondi i ketij institucioni është 0.16 për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulët edhe ne krahasim me Kosovën, që akordon 0.5 perqind për Akademinë e saj.