Shqipëria ndal Irlandën e Veriut, por shuan shpresat për Europianin

Shqipëria ndal Irlandën e Veriut, por shuan shpresat për Europianin

Përfaqësuesja Shpresa e Shqipërisë ka shpërdoruar sot një shans të artë drejt rrugës për një kualifikim të mundshëm për në Europianin e U-21, pasi në “Selman Stërmasi” barazoi me rezultatin 1-1 përballë Irlandës së Veriut. Ishin kuqezinjtë ata që kaluan të parët në avantazh në një ndeshje të ekuilibruar dhe me lojë të barabartë në të dy kampet.

Në të 83’ Ramadani ka gjetur golin, pas një gjuajtje nga jashtë zone, me topin që nuk është ndalur nga mbrojtja e ngjeshur e irlandezëve, për tu ndalur në rrjetë.

Por vetëm pak minuta ka zgjatur epërsia e Shqipërisë, pasi në të 89’ Irlanda e Veriut ka barazuar shifrat me Lavery që ka realizuar me kokë.

Pas ndeshjes së pestë të luajtur, Shpresat e Shqipërisë renditen në vend të tretë të klasifikimit të Grupit 2, në kuotën e 6 pikëve, pas Irlandës së Veriut që kryeson grupin me 10 pikë në 5 ndeshje dhe Spanjës në vend të dytë me 9 pikë në 3 ndeshje.

Në kuotën e 6 pikëve, po aq sa kuqezinjtë është edhe Slovakia që ka një ndeshje më shumë për të luajtur se Shqipëria. Në këto pozita, rrugëtimi i kuqezinjve drejt play off për një kualifikim të mundshëm, vështirësohet maksimalisht./Telesport.