Shqipëria mund të jetë destinacion i plehrave italiane

Shqipëria mund të jetë destinacion i plehrave italiane

Dy muaj më parë, Maroku refuzoi, pas protestave popullore, importimin e një ngarkese prej rreth 2 500 ton mbetjesh nga Italia.

Qeveria marokene kishte vendosur në fillim të vitit lejimin e importit të mbetjeve në vend. Pas këtij vendimi, ajo arriti një marrëveshje me qeverinë italiane për të pranuar rreth 5,5 për qind të mbetjeve vjetore të Italisë, në total rreth 5 milionë tonë mbetje për një periudhë tre vjeçare.

Por këto vendime të qeverisë u pritën me zemërim nga qytetarët marokenë të cilët shprehën shqetësimin se mbetjet mund të përmbajnë elementë toksikë. Shqetësimet u rritën pas thirrjeve nga marokenë që jetojnë në Itali, të cilët pretenduan se plehrat kanë përmbajtje të lartë kancerogjene.

Si rezultat, Maroku u përfshi nga protesta masive të qytetarëve të cilët kërkuan kthimin mbrapsht të një ngarkese prej 2 500 ton plehra që kishte mbërritur nga Italia në një nga portet e vendit dhe rindalimin e importit të plehrave.

Një peticion që u firmos nga mijëra marokenë pohonte se mbetjet e mbërritura përmbanin “elementë toksikë” dhe bëri thirrje për të ndaluar planet për ta kthyer Marokun në një “qendër të grumbullimit të mbetjeve ndërkombëtare.”

Një koalicion i quajtur Koalicion për Drejtësi Klimaterike i kërkoi qeverisë që të bënte publike marrëveshjen me Italinë.

Kundërshtarët ngritën gjithashtu edhe pikëpyetje mbi ligjshmërinë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, të dërgimit të mbetjeve me rrezikshmëri në vende që nuk kanë kushte për trajtimin e sigurt të tyre.

Qeveria marokene u mundua ta qetësonte popullsinë duke theksuar se plehrat ishin të parrezikshme, por këto pretendime u hodhën poshtë nga mjedisorët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Një nga ekologjistët kryesorë në vend, Benata Mohamed, e përshkroi situatën për Maroccon Times se “si zakonisht, autoritetet e vendit mbajnë fjalime ‘shumë të gjelbra’ në dukje, por faktikisht është krejtësisht e kundërta.”

paketimi-i-plehut

Si pasojë trysnisë popullore, qeveria marokene u tërhoq nga marrëveshja me Italinë dhe rivendosi ndalimin e importimit të plehrave.

Tashmë qeveria italiane dhe kompanitë italiane janë duke kërkuar mundësi të tjera për dërgimin e mbetjeve që do t’i pranonte Maroku.

Me siguri, pas miratimit nga qeveria të importit të plehrave, Shqipëria do të jetë një destinacion i dëshiruar dhe i mundshëm i këtyre plehrave.

Në mënyrë të veçantë qeveria italiane ka premtuar çlirimin e plotë nga mbetjet të Taverna del Re di Giugliano, vend-grumbullimit të konsideruar të turpshëm në Terra dei Fuochi, pranë Napolit, ku në një sipërfaqe të barabartë me rreth 360 fusha futbolli janë depozituar rreth 500 mijë ton mbetje. Plehrat janë të paketuara për t’u asgjësuar përmes djegies.

Operacioni i çlirimit ka filluar dhe qeveria italiane por ai po shkon ngadalë. Krahas dërgimit të një pjese në qendrat të djegies brenda Italisë, shumica e mbetjeve është e destinuar për në vende të tjera.

Prandaj, Qeveria italiane është në kërkim të mundësive për të çuar në vende të tjera këto mbetje dhe sikurse bëjnë të ditur mediet vendase mbetjet kanë filluar të ngarkohen në anije, por ende nuk kanë marrë autorizimin nga vendet pritëse. Disa nga këto vende mund të jenë Portugalia, Bullgaria dhe Spanja, por që të cilat ende nuk kanë autorizuar importin.

Deri tani, në rreth tre muaj që nga fillimi i operacionit të çlirimit të Terra dei Fuchi, janë hequr vetëm rreth 1 për qind të plehrave.

Marrëveshjet e siguruara me vendet të tjera janë të pamjaftueshme për çlirimin e plotë të vendgrumbullimit Taverna del Re dhe qeveria italiane është e dëshpëruar për të gjetur mundësi të reja

Historia e plehrave të Terra dei Fuchi është një histori ku përzihen mafia, camorra, korrupsioni, politika, sikurse dëshmohet në këtë raport të vitit 2006 të bashkimit të shoqateve mjedisore italiane dhe në këtë reportazh fotografik.

Problemi kryesor i mbetjeve të kësaj zone është opinioni i përhapur gjerësisht se mbetjet e atjeshme mund të kenë përmbajtje toksike apo kancerogjene, sikurse pretendohet ndër të tjera ne historinë e policit Roberto Mancini i cili bëri publik skandalin e plehrave, por që vdiq në vitin 2014 nga një lloj kanceri në gjak, pretenduar se është marrë nga kontakti me plehrat. /Exit