Shqipëria humb 3 vende në FIFA

Shqipëria humb 3 vende në FIFA

Shqipëria e ka fituar 2-1 ndeshjen e parë kualifikuese të “Rusia 2018”, ndaj Maqedonisë, por kjo nuk i ka shërbyer të ngjisë ndonjë vend në renditjen mujore të FIFA-s.

Madje, nuk i ka mjaftuar as për të ruajtur vendin e 37-të, që kishte në muajin  gusht.

Qeveria botërore e futbollit ka publikuar sot klasifikimin e shtatorit 2016, në të cilën kuqezinjtë e De Biazit kanë humbur tri pozicione.

Tashmë Shqipëria ndodhet në vendin e 40-të. Kjo gjë vjen si rezultat i humbjes në tavolinë i miqësores së luajtur me Luksemburgun, para finaleve të “Euro 2016”, ku Ergys Kaçe u aktivizua në shkelje të rregullores, sepse ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën pararendëse, shkruan Telesport.

Sa u përket skuadrave të tjera të Grupit G, ku bën pjesë edhe Shqipëria, në eliminatoret e Botërorit 2018, Spanja renditet më lart, në vendin e 11-të, por duke humbur 3 pozicione në krahasim me një muaj më parë.

Italia e ndjek, në vendin e 13-të, gjithashtu me 3 vende të humbura brenda muajit në këtë renditje të FIFA-s. Izraeli e sheh veten në vendin e 98-të, me 22 vende të humbura nga gushti në shtator, ndërsa Lihtenshtejni është i 182-ti.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA.

Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

albania