Shqipëria dënon gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve në Manastir

Shqipëria dënon gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve në Manastir

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë shprehu sot keqardhjen e saj dhe dënoi gjuhën e urrejtjes së përdorur në mbishkrime në hapësira publike në Manastir, në adresë të shqiptarëve.

“Nuk është hera e parë që Manastiri, qyteti i kongresit historik të gjuhës shqipe dhunohet qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve”, thuhet në një njoftim për shtyp të MEPJ-së, përcjell ATSH.

MEPJ u kërkon autoriteteve të Maqedonisë të hetojnë dhe të venë para përgjegjësisë autorët e këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin.

Kujtojmë se një mur në qytet në Manastir dje kishte zbardhur me thirrjen “vdekje për shqiptarët”.

E sot, një tjetër qytet, ai i Crvenkës në Vojvodinë u vesh me të njëjtën parullë, “vdekje për shqiptarët”. Ndodhi kjo në murin e një objekti ku zhvillon veprimtarinë një furrë me pronarë një shqiptar. Atje kjo thirrje u bë pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, rrethanat për të cilën mbesin ende të pazbuluara.