Shqipëri, papunësia bie në 14.2 për qind

10.03.2017 14:30
Shqipëri, papunësia bie në 14.2 për qind

Papunësia në shkallë vendi arriti në 14,2 përqind në tremujorin e fundit të 2016, niveli më u ulët që nga janari i 2013. Instituti i Statistikave raportoi se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia është me më shumë se 3 pikë përqindjeje, pasi në fund të 2015 papunësia zyrtare shënonte 17,3 për qind, njofton top channel.

Në terma vjetorë, niveli i papunësisë ka rënë më shumë tek femra sesa tek meshkujt, përkatësisht me 4 dhe 2,5 pikë përqindjeje. Edhe tek të rinjtë niveli i papunësisë në terma vjetorë ka pësuar rënie. Kështu, për grupmoshën 15 deri 29 vjeç, niveli i papunësisë ra nga 32,2 përqind, që ishte në fund të 2015 në 28,1 përqind në 2016.

Gjatë këtij tremujori, në terma vjetorë punësimi u rrit me 5,8  përqind. Shërbimet dhe industria kanë rritjen vjetore më të madhe të vendeve të punës.

Shkalla e punësimit të të rinjve është 32,5 përqind, kurse për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2016, shkalla e punësimit është 67,8  përqind.

Papunësia në Shqipëri filloi të pësonte rritje që pas viti 2011 duke arritur kulmin në tremujorin e parë të 2014 me 18,2 përqind. Që nga ajo kohë, sipas anketës së forcave të punës, që publikohet nga INSTAT, papunësia ka pësuar rënie dhe ngritje të vogla, përveç vitit të fundit kur rënia është e fortë.