Shqetëson dhuna e arsimtarëve ndaj fëmijëve

21.11.2017 10:25
Shqetëson dhuna e arsimtarëve ndaj fëmijëve

Të hënën, më 20 nëntor shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e themeluar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1954, ditë kjo që synon të promovojë mirëqenien e fëmijëve kudo, të parandalojë çdo formë dhune apo abuzimi ndaj tyre, si dhe të inkurajojë mirëkuptimin ndërmjet fëmijëve në gjithë botën, shkruan gazeta KOHA.

Gjithashtu, në 20 nëntor 1959 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën e të Drejtave të Fëmijës dhe Konventën e të Drejtave të Fëmijës më 1989. Megjithatë, sot e kësaj dite, dhuna tek fëmijët mbetet ende një fenomen global i përhapur.

Fatkeqësisht, ky fenomen mbetet një nga problemet serioze edhe për Maqedoninë, duke u kthyer në një rrezik që pengon zhvillimin, shëndetin, mirëqenien, të drejtat themelore, dinjitetin e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre e të vendit. Nga vizitat e shkollave fillore në territorin e Maqedonisë dhe bisedat me më shumë se 1300 nxënës gjatë vitit të kaluar, si dhe nga bisedat me nxënës të cilët e vizituan zyrën e Avokatit të Popullit, pa diskutim rezulton se ka raste që mund të regjistrohen me termin “dhunë ndaj fëmijës” nga ana e kuadrit arsimor, konstaton Avokati i Popullit në Raportin e vitin e 2016.

Duke vepruar sipas parashtresave, Avokati i Popullit konstaton se fëmija, si në bashkësitë martesore ashtu edhe ato jashtëmartesore – gjithmonë është viktimë e të rriturve, të cilët për shkak të hakmarrjes personale dhe padurimit – e shfrytëzojnë si instrument, duke mos u kujdesur për ndjenjat dhe të drejtat e tij. Edhe pse për këtë të drejtë më së shpeshti parashtresat u parashtruan nga prindërit, të cilët vinin në dukje shkeljet, para së gjithash, të të drejtave të tyre, ndërsa pastaj të të drejtave të fëmijës dhe shprehnin pakënaqësi prej punës së ekipeve profesionale, duke i akuzuar se punojnë në interes të njërit ose prindit tjetër, Avokati i Popullit në rastet e këtilla vepronte nga aspekti i respektimit të të drejtës së fëmijës.

Në këtë kontekst, angazhohej për realizimin e të drejtës së fëmijës që të jetojë me të dy prindërit dhe pa pengesë të realizojë kontakte dhe takime me prindin me të cilin nuk jeton vazhdimisht”, thuhet në Raport, përcjell KOHA. Avokati i Popullit zotohet ta ketë monitoruar edhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në rrugë, kryesisht të etnitetit romë, të cilëve u shkelet thuajse secila e drejtë e jetës!

“Duke e ndjekur gjendjen e personave të pastrehë të cilëve, në mesin e vitit 2016 – nga ana e Qytetit të Shkupit iu rrënuan shtëpitë e improvizuara, Avokati i Popullit zbatoi inspektim të drejtpërdrejtë dhe konstatoi se bëhet fjalë për 31 familje rome, nën Kalanë e Shkupit, të cilët ishin në gjendje të rëndë, jetonin në tenda, pa drita, pa ujë të pijshëm dhe pa asnjë ndihmë nga ana e institucioneve. Gjatë vizitës është konstatuar se janë gjithsej 135 persona prej të cilëve 78 fëmijë (mes tyre edhe foshnja), si dhe dy gra shtatzëna”, konstaton Avokati i Popullit, ndërsa Raporti fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend që, jo vetëm të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune, i cili cenon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë, por edhe të bëhen pjesë e rëndësishme e përfshirjes së tyre në promovimin dhe zbatimin e këtij plani veprimi, i cili tanimë i është shpërndarë të gjitha shkollave në vend.

Më 7 nëntor të këtij viti, një shkupjan ka denoncuar rast në polici se në shkollën fillore “26 korriku” personi Z.K (50) nga Shkupi, i punësuar si arsimtar në shkollë, në mënyrë fizike e ka sulmuar djalin e tij 12 vjeçar, njofton nga MPB-ja. Sipas denoncimit, ai e ka goditur fëmijën në pjesën e fytyrës, me çka i ka shkaktuar lëndim të dukshëm nga ana e majtë e fytyrës. Ndërkohë, ndër ngjarjet më të tmerrshme ishte ajo e 3 majit 2017, ku pos dhunës ndaj nxënësve – është shprehur edhe nxitje e urrejtjes ndëretnike nga ana e arsimtarit.

Nxënësit e shkollës fillore “Kuzman Shapkarev”, kanë ‘luajtur lojën e dhunës në Parlamentin e Maqedonisë’, para se mësuesi të hyj në klasë. Pasi mësuesi është futur në klasë, në vend që të ndalojë dhunën në klasë ndaj një nxënësi që kishte rolin e kryetarit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela, ai e ka vazhduar tmerrin duke thënë “eja të të tregoj si është rrahur Sela” dhe e ka goditur me shuplaka nxënësin. Prindi i nxënësit të rrahur është ankuar tek drejtoresha dhe ka kërkuar që i njëjti mos të jep mësim sepse edhe më herët ka pasur ankesa për dhunë nga i njëjti arsimtar. Prindi Dejan Karanfilofski rastin e ka paraqitur edhe në polici. MPB e vërteton se ka pasur dhunë në klasë dhe ka njoftuar se nëse ka fakte – atëherë mësuesi do të përballet me vepër penale-maltretim gjatë kryerjes së punës.