Shpikja e “barit” që gati sa nuk ia mori jetën gazetarit Milot Hasimja

Gazetari i Klan Kosovës, Milot Hasimja ka rrëfyer se momentin kur Sovran Syla, djali që ishte personazh në një storje të tij, kishte hyrë me thikë në dorë në vendin e punës dhe e kishte sulmuar me thikë pas koke.

Shpikja e “barit” që gati sa nuk ia mori jetën gazetarit Milot Hasimja

Një zbulim i ‘barit’ që zgjatë seksin më shumë se 20 minuta, përpak i ka shkaktuar vdekjen gazetarit, Milot Hasimja.

Autori i shumë storjeve sociale e kulturore në Klan Kosova ishte sulmuar me thikë në vendin e tij të punës nga personazhi periferik i një prej storjeve të tij.

Në tetor të vitit 2014, Hasimja është sulmuar me thikë në qafë dhe kokë nga Sovran Syla. Sulmuesi ishte arrestuar dhe dënuar me tri vjet e gjysmë burgim dhe 1000 euro gjobë për vrasje në tentativë.

Në një intervistë për Insajderin, Milot Hasimja ka rrëfyer se si Sovrani, djali që ishte personazh në një storje të tij, kishte hyrë me thikë në dorë në vendin e punës dhe e kishte sulmuar me thikë pas koke.

“Me datë 27 tetor të vitit 2014 diku rreth orës 10:00 kam qenë t’u lexu një tekst  në voice edhe nuk kam ditë asgjë, përveç disa ramje goditëse të kokës. Ai më ka sulmu, ja kom heq thikën prej dorës, kam tentu me e ndalë dhe në ato momente e kam vërejt që po rrjedh shumë gjak”, ka rrëfyer gazetari Hasimja.

Policia në vendin e ngjarjes kishte arritur me 20 minuta vonesë.

Mirëpo përvoja e gazetarit Hasimja si zjarrfikës i kishte ndihmuar që ta merrte veten dhe të shkonte në spital.

“Për faktin që e kam ditë se sa shpejt mundet me intervenu ambulanca, pasi kam punuar pesë vjet zjarrfikës edhe në aksidentet tjera që i kom pas e kam ditë sa mundet mu vonu policia, edhe shpejt kam reagu duke dalë shpejt vet, qashtu t’u rrjedh gjak duke e mbajt me kapuq varrën. Kam hip në taksi vetë edhe shpejt kam dal prej kerrit, kam hy në sall të emergjencës edhe ju kam tregu doktorëve që jam ther në kokë”, ka rrëfyer Hasimja.

Hasimja është i pakënaqur me punën e Prokurorisë e cila sipas tij tek pas 15 ditësh e kishte intervistuar në cilësi të palës së dëmtuar.

“Prokuroria pas 15 ditësh më ka marrë në pyetje. Në gjykatë nuk janë thirr kolegët e mi si dëshmitarë. Kolegët e mi pas sulmit e kanë blloku derën dhe e kanë mbajt personin, në këtë rast Sovranin të shtrirë derisa ka ardhë Policia”, ka treguar Hasmija.

Hasimja ka thënë se sulmuesit të tij ia kishte lehtësuar dënimin, për shkak se shoqëria e tij e kishte tallur dhe manipuluar duke i shkaktuar dhunë psikike.

“Sovrani ka qenë i manipulum prej rrethit dhe komplet shoqnisë tonë qysh është manipulative, ku shokët e vet e  kanë maltretu psiqikisht. Unë në gjyq kam lyp që me ju lehtësu për gjashtë muaj ditë. Vendimi ka qenë për katër vjet, unë ja kam zbrit 3 vjet e gjashtë muaj”, ka treguar Hasimja.

Pas dënimit nga shkalla e parë, Sovran Syla nuk ishte dërguar në paraburgim por në arrest shtëpiak.

“Çka u kanë ma interesant kur është nda vendimi edhe krejt policia ka harru me shku me marr Sovranin, pra me arrestu me fut në burg edhe më ka dashtë me dal në media me tregu që ai është i lirë tu ec dhe brenda 20 minutave janë shku me marr”, ka rrëfyer gazetari.

Nuk është vetëm Hasimja që ka përjetuar sulme të tilla.

Të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) për vitin 2016 flasin për 12 raste të kërcënimeve dhe sulmeve, kurse në vitin 2015 Asociacioni kishte regjistruar 15 raste, duke përfshirë kërcënimet, sulmet fizike, frikësimet dhe dëmtim të pronës.

Këto shifra u dyfishuan gjatë vitit 2017, teksa në vitin 2013 nuk ishte regjistruar asnjë rast i kërcënimit ose dhunës ndaj gazetarëve. /Insajderi.com

 

(Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi.)